Veç muj me t’dashtë ashtu siç je

19 Korrik, 2024 - 2:53 pm

Poezi nga Jorge Luis Borges

Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës
s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua
veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…

Jo, unë s’mundem me e ndryshue
as t’shkuemen e as t’ardhmen tande
por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji

S’mundem me i shmangë teposhtat e tua,
veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue
Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt
vërtet s’janë të miat
po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra

S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande
po me të mbështetë e ndjej detyrë,
me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!

S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh,
veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë
që ti t’naltohesh

S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande,
kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon,
po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë
krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para

S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh,
veç mundem me të dashtë njashtu siç je
dhe me mbetë përjetë Miku yt…

(Perkthyer nga Jozef Radi) / KultPlus.com

Të ngjajshme