Vendit tim siluetë

16 Shkurt, 2019 - 7:06 pm

Sibel Halimi

Në lajme mbetet fytyra e ngrirë 
e buzëqeshjes së njeriut të vdekur
të përkujtuar veç si të mirë

Në lajme hedhet vallja marrëzisë njerëzore 
E ne ngulim sytë e skuqur
të imagjinuar që jemi pjesë e saj

Në lajme gurgullon 
hija e rëndë e luftës së mbijetesës,
luftë tjetër nuk njohin, harruar kemi

Në lajme festohen përvjetorë
Të shtetit siluetë 
Të krijuar mbi varret e ëndrrave
Ku instalacionet bëhen vepra 
E çmimet i ndajnë po të njëjtët 
bashkëudhëtarë të krimit

Në lajme shiten e lëshohen
Me qera mendime, qëndrime, karaktere e personalitete 
Lirë e shtrenjtë
E në mbrëmje të gjithë në zbritje, toptanë

Në lajme jargavitet vendi 
Qan e gëzohet i varfëri
Në derë një horr mban në dorë
pak sheqer, pak miell e pak kafe
E drejton kah zoti i vet

Në lajme flet arreste e izolime
Veç për një fjalë goje 
Për burra që i rrinë besnik
Kullës së ndërtuar brenda qenies së vet 
Ditës me lot krokodili i rrinë gatitu 
E natën lëshohen me pushtua 
errësirën, egon e lirinë e grave të tyre

Në lajme një zgjatje duarsh
Mbrapa shenja të identiteteve boshe të poetëve minj
që bredhin korridoreve të pushtetit 
e kafeve me duhmë, të admirojnë tu i thurë vargje lirisë

Në lajme Nezafetja i bie defit
Në përvjetorë të pavarësisë
E qan me lot melodinë e vjetër

Në lajme Ulpianës iu është nxirrë syni
Në mbrëmje merr lapsin ngjyrë lëkure,
e mbulon e ia mësynë diku arratis

Në lajme ngritët edhe një tregë memorialësh,
i fëmijëve pas heroinave
Shteti vë në ankand ndërgjegjen në përvjetorin e saj

Në lajme 
Marathonomakut i ngritet lapidari i bronztë
e Don Kishoti kumton lajmin për vdekjen e tij

Në lajme shteti feston marrëzinë e vet
E ne i gëzohemi hiçit, gjenezës sonë
Gëzuar! / KultPlus.com

Të ngjajshme