17 Maj, 2023 - 8:00 pm
Dy poezi nga Afrim Demiri
1.Vetëtimthi
Një vetëtimë shfaqi
befasisht portretin tand
kroki në qiell
Të gjitha lutjet tona si flutura
t’ prarueme u nisën
vetëtimthi drejt teje
Kush më thotë
ç’ kanë të përbashkët
andrrat dhe vetëtimat
2. Fetusi plak
Kur m’ kaplon
malli Nanë
nisi e marr
trajtën e fetusit
Malli shkon
e bahet top
në zemër
e trupi m’ lidhet
kamb e duarsh
dhe gishtat bahen grusht
Rri ashtu
Gogluq
Unë
Fetusi plak
derisa k’thiza
m’ del e m’ kthen
te ti
Dikur oh dikur
kur malli
m’ lshon ngadal
dal nga fryma
jote
dhe filloj të eci
prej s’pari./KultPlus.com