Vitet

22 Gusht, 2022 - 5:00 pm

Poezi nga Alex Dimitrov

Tërë ato festa shtëpie që ke kaluar
duke parë dhomën
prej ballkonit
atje ku dikush të bashkohej
sa për një cigare dhe kthehej brenda.
Dhe sesi dilte që asnjëri prej tyre
s’e pati fëmijërinë që do kish dashur
dhe sesi ta thoshin këtë gjë
paksa të pirë, pak si tërthoras
në më pak kohë se ç’u ish dashur
për t’i dhënë fund cigares
për shkak se brengave
s’u jepet dot shpjegim.
Pas xhamit, brenda
miqtë e tu zukasnin.
Mund t’ia ndjeje trajtën
zërave të tyre. Mund të thoshe
se, për nga zëri, ata ndodheshin
dikund tjetër. Më 1999
apo 2008, apo qershorin e fundit.
Sigurisht, vajtja nëpër festa
ka rëndësinë e vet. Ta kthesh
jetën në veshje apo në pije
apo këpucë kamoshi që ndokush vesh
kur bie shi. Rrugës për në shtëpi,
prapa në makinë, qielli i mbrëmjes
kurdiste rrengat e veta. Yjet
gjenin vendin përkatës pa bërë zë.
Personi që po mendoje, ngiste makinën
nën yjet. Larg festave,
(tamam si ti) nëpër vite.

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

Të ngjajshme