21 Shtator, 2022 - 12:59 pm
Poezi nga Refik Durbas
Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe,
Do të vije, unë do të lija cigaren,
Në vend të pullave të nikotinës,
Do më rridhte në vena shiu
Dhe vetëvrasja e plakjes,
Dhe vera e kaluar e rinisë…
Fëmijët do të luanin kukafshehti me shiun,
Do të zbukuronin rrugët me të qeshura,
Një harabel me flatra argjendi
Do të bëhej loja e fëmijëve…
Dhe unë do të isha balona e harabelave.
Gjiri yt i kthjellët si ylberi
Do të rrethonte netët e mia,
Në ballë do ta puthja errësirën
Ulërimën tënde më të gjatë se e gjata
Në qerpikët e zinj ngecur
Frikën dhe aromën tënde…
Ah! Zjarri i prekjes tënde
Si uji që ka ngrirë në acar,
Dëshira për t’u bërë jorgani yt,
Digje majën e flokut më të hollë
Me buzët e puthjes, prekjes, nuhatjes,
Do të të puthja…
Me krahët e erës do të përqafoja
Trupin tënd që i rri i vogël trupit tim…
Ti nuk erdhe, vjeshta erdhi herët
Hija ime nga pragu i dritareve
I ra pas dashurisë tënde të zezë…
Dhe zemra i ra pas trishtimit, dëshpërimit…
Tani pres të kthehesh
Siç më ka marrë malli të ikësh…
Që të më ushqesh
Me pasionin e dashurisë tënde në errësirë
Të më mbytësh me uraganin tënd të zi
Të më harrosh në errësirën tënde të zezë.
Vjeshta erdhi herët, ti nuk erdhe…/KultPlus.com