16 Korrik, 2019 - 2:30 pm
Poezi nga Migjeni
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë nder ftyra t’ona…
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
lëngon shprt’ i smuem nder krahnore t’ona,
dridhet jet’ e vyshkun nder gemba të një plepi.
Ngjyrët e verdha losin në vallen e fundme –
(dëshir’ e marrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet t’ona, dëshirat e fundme
nepër balta të vjeshtës bashkë me gjethë po shkelin.
Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
tundet dhe përgjaket në pasjon të viganit:
Jetë! Jetë unë due! – e frymë merr prej fellit,
si stuhi shkynë ajrin… por në fund i a nisë vajit.
Dhe m’at vaj bashkohet horizont’ i mbytun
në mjergullë përpise. Pemët, degët e lagun
më nji vaj i mshtjellin në lutje – por kotë! E dinë të fikun
se nesër do vdesin… Vall! A ka shpëtim ndokund!
Mallëngjehet syni, mallëngjehet zemra
n’orën e vorresës, ku heshtin damaret,
e vorri naltohet nën qiella ma t’epra
me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe xvaret.
Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë nder ftyra t’ona…
Rëndoni dëshirat, fëmitë e jetës së varfun;
rënkoni në zije, qani mbi kufoma
që stolisin vjeshtën nepër gemba të thamun.