Vjeshtë

13 Nëntor, 2017 - 11:20 am

Poezi e shkruar nga Naime Beqiraj.

Në palestër hartash, objekte të verdhme moti
Zhurmat si trokitje, hijëzuar ultë, krejt pa taka
Një kopsht me vete dhe rrugën kah mediton Zoti
Prap vjeshtë, prap prush i kuq, edhe kur s’i del flaka

I dua pemët që thur ti, edhe në mos i hëngsha
Kur me shije planeti syrin ma thirrin mes rreshtash
E praruar me drita, mollë e ftua në mos u bëfsha
Në dorë më ke, n’krahëror, sa e ëmbël vjeshta

Duke i pyetur xhamat të pasqyruar me shije
Drita është e ëmbël edhe kur nuk qet sy dielli
Si ta kthej vjeshtën kur bora të ndjell fryrje
Atëherë, kur urtas, nuk nis të errët as qielli

Vjeshta vjen e prajshme si urtake e Zotit
Pushon pak, kur i kthen ngjyrat në simfoni
Si palë ëndërrash barkas kur ndryshon moti
E si copa perlash, kur pikat ju bijnë përbri

E priste edhe me hënën që fshihej përballë
Atë krijesë të vogël që i rrinte duke qeshë
Në netët e njoma as cigare nuk kishte kallë
Mister lajmëronte qielli, mandej vinte vjeshtë

Qëlloi e bukur e madhe – për tu zvogëluar
Vec rrezja përbirohej në skaj buze duke qeshë
Askush nuk nxirrte fuqi për ta zëvendësuar
Ajo vec një ishte, mandej bëhej vjeshtë

Nisi t’i studionte prap ngjyrat e Van Gogut
Plepat e praruar, dritat, gjethet, shiun duke reshë
Impresionizmin, diellin dhe erën e sfondit
Si pika të gravuara, si malli që lind në vjeshtë

Kur kapërceu shkallët, pika gjethi luanin mbi kokë
Pemët elegante, sytë prapë ia kishin dehë
Bukuria jote nuk mësohet në asnjë shkollë
Bukuria jote nuk qetësohet, sepse është vjeshtë

E një erë e jugut pikë pikë i zhduk kurorat
Bijnë në tokë të vet, përzihen me hijeshi
E ndërton prap ngjyrshmëri sa do janë të vogla
E mbas gjurmëve të vjeshtës – pikon dashuri

Të ngjajshme