Vuaj për ty, njeriu im

25 Gusht, 2023 - 1:57 pm

Sibel Halimi

Vuaj nga një sëmundje e rrallë e plot mister
Çdo ditë më gërryen diçka përbrenda 
Përballë secilën qelizë jete
me vdekjen

Vuaj nga përditshmëria e të pathënës
fjalë të groposura n’thellësinë
e zezë humnerore të vetmisë zbardhur

Vuaj kur nuk luftoj
mos me u dorëzua
Në rrugën që pritet t’i jepet një emër
Dikush gjithnjë është n’kërkim të një emri

Një njeriu

Vuaj për njeriun
ndarë në dysh
mes kundërshtive
si në gojë darâsh

Me veten strukur diku
në qoshkun e fëmijërisë

Vuaj për luftën që se bëj
Për rrënjët në paqe lëshuar thellë, zgjatim
Vuaj për fytyrat e fryra
për dhimbjet shkakësore
mimikën beton e buzëqeshje sipërore harruar

Në të djeshmen, matanë
murit të koshiencës

Vuaj për emrat
që nuk kanë këmbë, duar as fytyrë
Që s’shprehin gjë as irritohen
thjesht ekzistojnë për fjalën
që dhemb – një dhembje kohë rrënon një dromcë dashurie
të ndjellë ndonjëherë diku

Vuaj çdo ditë
për timen bijë
që nuk arrita t’ia bëja një botë
më të mirë me vizllima
Të papranishmën botë
Që premtuar ia kisha asaj
dhe shoqeve të saj

Vuaj për vuajtjen
Për përmbysjen, kaosin e pritjen

Vuaj për ty njeriu im!
Bëhu! / KultPlus.com

Të ngjajshme