Zara

24 Korrik, 2020 - 9:00 pm

Poezi nga Behlul Jashari

Në Zarë Rruga Bregdeti duket se lahet në det
i kaltër, i bukur me valë e me pulëbardha
deti hapet kah bota si udhë e gjerë

toka, deti dhe qielli
qojnë te Zara
qytet i gurit dhe luleve

Zara duket si një krijesë e moçme njerëzore
që kërkon zare në pazare
ecën dhe ecën rrota

Kështu ka hyrë edhe në fotografitë e fotografit “Lido”
bashkë me katër rrotë të një qerreje të drunjtë të vendlindjes
me një pamje malli të pazarit të Ferizajt

Vashat ecin, shëtisin udhëve
në duar, rreth qafe mbajnë filigranët e Prizrenit stoli
sytë u mbesin në dyqanet e argjentarëve…

Lagjë e moçme me emrin Arbanas
i ka shtëpitë, i ka njerëzit
edhe gjuhën nga lashtësia e ka

fëmijtë a harrojnë gjuhën e nënës së vet
Josip Rela ua mëson
Shime Deshpali u këndon

Shkrimtari dhe këngëtari a kanë vdekur
kush jeton me atë gjuhë
kush jeton me ato këngë

Dyert e lagjes së moçme janë plot mikpritje
e kujtime
zemra ka mbetë te njeriu
Zemra ka mbetë në Zarë
rrahë zemra, rrahë
jeta ecë nëpër zare

Deti hapet kah bota
si udhë me valë
ja, zari të qon edhe në Zarë

Rruga Bregdeti duket se mbytet në det…

Të ngjajshme