‘Zbresim Shkallëve’, njëra nga poezitë finaliste në konkursin e poezisë “KultStrofa”

26 Dhjetor, 2021 - 10:10 am

ZBRESIM SHKALLËVE

Zbresim shkallët teposhtë
në heshtje
nga kati i shtatë
Me bisht syni i shikojmë
supet e njani tjetrit
dhe siluetën e portreteve
të ngrysuna nën dritën
e paktë

Një kat më poshtë bajmë

një ngatërrim të hapave

dhe gati përfundojmë
në përqafim të trembun
E sforcojmë ecjen vertikale

dhe shikimin e rreptë

derisa shkelim të pestin

dhe të katërtin kat
si dy armiq të rastësishëm

E shtrëngon çantën
tuj m’pa si një rrëmbyes
Kurse unë me qëllim
nuk e shpejtoj hapin
Arrimë tek i dyti
tashmë të militarizuem

në mospërfillje

Zhurma e takeve t’ua
e tradhëtojnë heshtjen
e zemrave dhe shpeshtojnë
frymëmarrjen
Për herë të parë
e shoh ngjyrën e syve
të kaltër

Në përdhese
gjithçka fashitet
tokëzohen ndjenjat
e trazueme
dhe kujtimet se dikur
të kisha njohur mirë
Por tash maska
e moshës na kishte
tjetërsue

Ti vazhdon ma tutje
e bindur se shpëtove
nga një vardisës
i mundshëm
i bezdisshëm

Kurse unë vazhdova
për në bodrum
tek fletoret e moçme
të kërkoj përshkrimin
tim 
për portretin tand
në rini

Poezi e shkruar nga Afrim Demiri, njëra nga poezitë finaliste në konkursin mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./KultPlus.com

Të ngjajshme