Zgjohuni

23 Shtator, 2019 - 8:30 pm

Poezi nga Shukrije Gashi

Merreni shtruar harrimin për ju
shpirtit thuani zëshëm jemi vetëm
rrugëtimit maratonik
deri tek pragu tjetër
n’ lëkurën tonë dhimbjet
i ndjejmë veç ne
hijet e harruara nga të gjithë
n’ trishtin e çmendisë
qetohemi e pëlcasim me lotë
një dolli pelimi
që nuk soset asnjëherë
teksa grimcojmë thonjtë
terapinë e pikëllimit

Flasim me askend me muret
me andrrat e llahtarit vetëm atëhere
kur edhe hijet zhduken
prajshëm e zbehtë n’ prendim dielli
e terri mbulon turpin kolektiv që
kurrë na braktisi për fajin e pabërë

Në vendin ku dashuria për njeriun
nuk banon ma
drejtësia blihet me monedha
dhe mamuza patkonjësh hileqar
farkuar në klanin që vret
andrrën tuaj n’çdo pusi karremi
dhe e ha mishin e dashjes tonë
qetë-qetë

Merreni shtruar harrimin për ju
zgjohuni ta vrasim bashkë
mordjen që fle e shkujdesur në çmimin
e tregëtimit me plaçkën e dhimbës tuaj
Shkunduni ma se mu tha fyti nga durimi. /KultPlus.com

( Kjo poezi u është kushtuar viktimave të dhunës seksuale dhe familjarëve të të zhdukurëve e të vrarëve, gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999, nga regjimi totalitar i Millosheviqit.)

Të ngjajshme