Aktorja Carrie-Ann Moss ka folur për stereotipet e moshës në Hollywood

14 Prill, 2021 - 12:37 pm

Carrie-Ann Moss ka bërë të ditur se vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj të 40-të, asaj i ishte ofruar një rol i gjyshes në një projekt filmik.

Ylli i filmave “Matrix” e cila është 53-vjeçare, në një intervistë të fundit ka folur hapur për moshën dhe pritshmëritë në Hollywood, si dhe ka diskutuar për pritja psikotike që gratë duhet t’iu nënshtrohen operacioneve dhe intervenimeve të ndryshme në fytyrë, vetëm për t’i siguruar rolet më të mira.

Moss, e cila rikthehet në vazhdimin e katërt të filmit “Matrix” në rolin e Trinity, tha: “Kisha dëgjuar nga koleget e mia në këtë industri, që pas moshës 40-vjeçare, gjithçka do të ndryshonte. Unë nuk e besoja këtë gjë sepse nuk jam person mendimi i së cilit ndikohet nga fjalët e të tjerëve. Por, në të vërtetë, vetëm një ditë pas ditëlindjes time të 40-të, isha duke lexuar një skenar që më kishte ardhur dhe po diskutoja me menaxheren time për këtë. Dhe ajo më tha ‘Oh, jo, jo, nuk është ai roli që të është ofruar, në fakt roli të cilin duhet ta lexosh në skenar është ai i gjyshes’. Ndoshta po e ekzagjeroj pak, por kjo ndodhi brenda natës. Unë kalova nga rolet e vajzave tek ato të nënave dhe pastaj të gjysheve. Kjo është një histori tipike, marrë parasysh se punojmë me burra që janë shumë më të vjetër dhe po plaken çdo ditë e më shumë. Njerëzit e mirëpresin plakjen e tyre, ndërsa unë jam shumë më e re se ata dhe sërish më ofrohen role të gjysheve”.

Në vazhdimin e radhës së filmit “Matrix”, ylli hollywoodian Keanu Reeves rikthehet në rolin e protagonistit Neo, derisa aktorja Carrie-Anne Moss edhe një herë e portretizon personazhin, Trinity. Në këtë projekt, dyshja e njohur e hollywoodit gjithashtu bashkohet me producenten dhe regjisoren, Lana Wachowski. Në një intervistë të fundit, ylli i vazhdimit të katërt të “The Matrixit”, Jessica Henwick, tha se beson që filmi i ri do ta ndryshojë industrinë e filmit, derisa Keanu Reeves e përshkroi atë si një tregim inspirues i dashurisë.

Pjesë e kastës së aktorëve të vazhdimit të katërt të filmit do të jetë ylli i filmave “Aquaman”, “The Greatest Showman” dhe “Watchmen”, Yahya Abdul-Mateen. Aktori tjetër që është konfirmuar si pjesë e kastës së këtij projekti, është ylli i serisë “How I Met Your Mother, Neil Patrick Harris, i cili gjithashtu besohet se e ka një rol të rëndësishëm në film.

Data e lansimit të filmit “The Matrix 4” ka ndryshuar disa herë për shkak të pandemisë. Aktualisht pritet që të vijë nëpër kinematë botërore në prill të vitit 2022. / KultPlus.com

Të ngjajshme