28 Prill, 2021 - 9:00 am
Ylli i njohur i muzikës, Lana Del Rey, e ka paralajmëruar lansimin e albumit të ri “Blue Banisters”, në muajin korrik.
Përmes një postimi në Instagram, Del Rey e konfirmoi lajmin se do ta publikojë albumin e radhës më 4 korrik të këtij viti, në ditën e pavarësisë së Amerikës.
“Blue Banisters” do të jetë albumi i tetë i incizuar në studio për këngëtaren, dhe vjen pas incizimit të lansuar në muajin mars, me titull “Chemtrails Over the Country Club”.
Para 5 javësh, Del Rey i paralajmëroi ndjekësit në Instagram se më 1 qershor do ta lansonte një projekt të ri me titull, “Rock Candy Sweet”, për të cilin tha se do t’i sfidonte akuzat ndaj saj për përvetësim kulturor dhe promovimin e abuzimit në familje. Atëkohë, shumë adhurues spekuluan se bëhet fjalë për një album të ri, kurse tani mendohet se “Rock Candy Sweet” mund të jetë vetëm njëra prej këngëve të reja të këngëtares. Meqenëse Del Rey nuk ka dhënë më shumë detaje, është më se e natyrshme që fansat kanë mbetur të hutuar se cili nga këto projekte është album e cila do të jetë vetëm këngë.
Së fundmi në media u raportuar se albumi i kaluar i këngëtares, “Chemtrails Over The Country Club”, ishte ndër albumet më të shitura të vitit 2021 në Britani të Madhe.
Në një intervistë të fundit për revistën muzikore “MOJO”, këngëtarja 35-vjeçare pati deklaruar se gjithmonë do ta kujtojë ditën kur i pranoi vlerësimet e para rreth muzikës së saj, pasi pas vdekjes së idhullit Amy Winehouse, ajo nuk dëshironte të këndonte më.
Pavarësisht kësaj, Lana e vazhdoi karrierën muzikore duke u shndërruar në një prej artisteve më të veçanta dhe më fitimprurëse në tregun muzikor, e cila shquhet për the të tilla si: “Born To Die”, “Blue Jeans”, “Summertime Sadness”, “High By The Beach” dhe të tjerë. / KultPlus.com