21 Nëntor, 2018 - 2:30 pm
Shfaqja e modës së Dolce & Gabbana në Shangai është anuluar nga Byroja e Çështjeve Kulturore të Shtetit, pas disa mesazheve të dërguara nga stilisti i njohur Stefano, i cili fyente rëndë kulturën kineze.
Stefano Gabbana është i njohur për sulmet që bën përmes Instagramit të tij, si rasti kur e quajti Selena Gomez-in “të shëmtuar” apo klanin Kardashian “cheap”.
Megjithatë sa u përket akuzave të fundit, stilisti pretendon se profili i tij është hakuar dhe se ai “e do Kinën dhe kulturën kineze”. Por çfarë publikoi Stefano në Instagramin e tij që e bëri Kinën, shtetin ku ka më shumë blerës besnikë të markës, t’i kthente shpinën.
Fillimisht ai publikoi një video përmes së cilës parodizonte mënyrën e të ngrënit me shkopinj të ushqimit kinez.
Më pas ai debatoi me Michaela Tranova në Instagram, bisedat me të cilën përmbanin fyerje të mëdha të tipit “Shtet m*ti”, “Mafia injorante kineze që mban erë të keqe” apo “kinezë që hanë qen”.
Faqja zyrtare e Dolce & Gabbana-s në Instagram ka publikuar një deklaratë tashmë, përmes të cilës tregon se profili i Stefano-s dhe e D&G është hakuar dhe se zyra ligjore e kompanisë po investigon.
Nuk dimë nëse mund ta besojmë këtë apo jo pasi, Gabbana njihet për deklaratat e çuditshme dhe sjelljen kundër rrymës, që nuk është fare një gjë e re./ KultPlus.com