11 Prill, 2022 - 2:06 pm
Këngëtarja Ashanti u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Me këtë rast, këngëtarja, aktorja dhe autorja e famshme, u vlerësua për karrierën e saj të suksesshme.
Në zbulimin e yllit të saj, ajo shoqërohej nga familjarët e saj, bashkëpunëtori i kamotshëm, Ja Rule dhe aktorja, Tichina Arnold, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Të pranishmëve në ceremoni, fituesja e çmimit “Grammy” u tha se nuk është persona që qan lehtësisht, por megjithëkëtë e pati të vështirë t’i përmbajë lotët kur foli për rrugëtimin e saj drejt suksesit.
“Së bashku kemi sakrifikuar shumë për të arritur në këtë pikë. Ju dua shumë të gjithëve. Kemi përjetuar sfida të mëdha dhe momente mjaft të errëta, prandaj të jesh këtu sot duke e festuar jetën bashkë me miq dhe familje, është një ndjenjë e veçantë për mua. Jam shumë falënderuese”.
Ashanti nuk ngurroi ta falënderojë edhe stafin e saj, që ka punuar me shumë mund dhe përkushtim, e ka përkrahur atë në çdo hap të karrierës si dhe e ka mbrojtur çdo herë nga personat e ligë të industrisë së muzikës.
Reperi Ja Rule me të cilin këngëtarja i ka realizuar disa hite të suksesshme, si “Always On Time”, “Happy” dhe “Mesmerize”, para të pranishmëve deklaroi: “Kam 20 vjet që e njoh Ashantin dhe më kujtohet kur e takova për herë të parë, ajo ishte e thjeshtë në dukje e veshur me një bluzë të gjerë, dhe e kalonte gjithë kohën në studio incizuese duke iu dedikuar këtij arti të quajtur muzikë. Është shumë e vështirë për një artist ta menaxhojë jetën dhe karrierën në mënyrën si e ke bërë ti, dhe ta shndërrohet në personin që t’i je sot në këtë industri. Thjeshtë dua të të them se jam shumë krenar me ty. Të dua”.
Ylli i hitit “Foolish”, Ashanti, gjatë karrierës së saj i ka lansuar gjashtë albume të incizuara në studio, i ka pranuar tetë shpërblime “Billboard”, një “Grammy”, dy çmime “American Music Awards”, dy “Soul Train Awards” dhe gjashtë shpërblime “ASCAP”. Ajo e ka fituar një vend në librin e rekordeve botërore “Guinness”, si artistja debutuese me më së shumti albume të shitura. Po ashtu e gëzon një karrierë si aktore, duke luajtur në disa filma dhe seriale televizive. / KultPlus.com