Asistenti i Matthew Perry pranon fajësinë për akuzat që lidhen me vdekjen e yllit të “Friends”

16 Gusht, 2024 - 10:30 pm

Asistenti i Matthew Perry është deklaruar fajtor për komplot në shpërndarjen e ketaminës – lidhur me vdekjen e aktorit amerikan.

“Kenneth Iwamasa, 59 vjeç nga Toluca Lake – pranoi se kishte injektuar në mënyrë të përsëritur ketaminë pa trajnim mjekësor në trupin e Perry – duke përfshirë kryerjen e injeksioneve të shumta më 28 tetor 2023 – ditën kur ai vdiq”, tha Departamenti i Drejtësisë.

Ai u deklarua fajtor më 7 gusht për “një akuzë të komplotit për shpërndarjen e ketaminës duke shkaktuar vdekje”.

Iwamasa ishte një nga pesë personat e akuzuar pasi ylli i “Friends” vdiq nga një mbidozë aksidentale me ketaminë tetorin e kaluar.

Një hetim mbi rrethanat e vdekjes së Perry – zbuloi se në vjeshtën e vitit të kaluar aktori 54-vjeçar – i ishte rikthyer varësisë dhe këta të pandehur përfituan”, tha avokati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Martin Estrada.

“Matthew Perry kërkoi trajtim për depresionin dhe ankthin dhe shkoi në një klinikë lokale ku u bë i varur nga ketamina intravenoze”, tha administratorja e Administratës së Zbatimit të Drogës (DEA), Anne Milgram.

“Kur mjekët e klinikës refuzuan të rrisnin dozën e tij, ai iu drejtua mjekëve të paskrupullt që e shihnin Perry si një mënyrë për të fituar te ardhura të shpejta”, shtoi ajo.

Dr. Salvador Plasencia, 42 vjeç nga Santa Monica – dyshohet se ka bashkëpunuar me Dr. Mark Chavez, 54 vjeç nga San Diego – për të furnizuar Perry me sasi të mëdha ketamine – duke përfituar nga ylli amerikan 2000 dollarë për një shishkë – që kushtonte afërsisht 12 dollarë.

Perry, i cili më së shumti luajti Chandler Bing në hitin amerikan “Friends”, u gjet i vdekur në pishinën e rezidencës së tij, në Los Anxhelos më 28 tetor.

Në dhjetor, vdekja e Perry u cilësua si një aksident nga “efektet akute të ketaminës” – një qetësues që mund të përdoret si një ilaç rekreativ, si dhe për të trajtuar depresionin dhe menaxhimin e dhimbjes.

Një ekzaminues mjekësor tha se Perry kishte marrë terapi me infuzion me ketaminë për depresionin dhe ankthin, me trajtimin e tij të fundit të njohur një javë e gjysmë para vdekjes së tij.

“Ketamina në sistemin e tij pas vdekjes – nuk mund të jetë ajo që ka marrë gjatë terapisë me infuzion”, thuhet në raport. / KultPlus.com

Të ngjajshme