Ato që nuk i keni ditur për Mbretëreshën e Anglisë

25 Korrik, 2017 - 11:56 am

Një pjesë e njerëzve e dinë që ajo ka një koleksion shumë të bukur me kapela, por për jetën e saj dinë shumë pak. “Business Insider” jep listën e fakteve personale që i përkasin mbretëreshës dhe që shumë pak i njohin”.

E para i përket shkollimit të saj: Elizabeta nuk e ka frekuentuar asnjëherë shkollën, thuhet në shkrimin që e transmeton MAPO. Kur ishte fëmijë dhe e quanin Lilibet, ka marrë mësime private në shtëpi. E njëjta gjë edhe me motrën e saj më të vogël, Margaret.
Ka festuar mes turmës në fund të luftës
Ndërsa ishin të reja, Elizabeta dhe Margaret morën lejen e prindërve për t’iu bashkuar turmës që festonte në Londër fundin e Luftës së Dytë Botërore. Mbretëresha e kujton herë pas here atë natë, si një kujtim shumë i bukur i jetës së saj. Kjo ngjarje është treguar dhe në filmin “Një natë me mbretëreshën”, drejtuar nga Julian Jarrold më 2016-n.
Kurora me gurë të çmuar është thyer në ditën e dasmës
Në ditën e dasmës me princin Filip, kurora me gurë të çmuar që kishte vënë Elisabeta, u thye. Por argjendari u thirr menjëherë dhe e riparoi në kohë kurorën.
Është kushërira e bashkëshortit të saj Filip
Mbretëresha dhe bashkëshorti i saj Filip janë kushërinj të tretë. Elizabeta është pasardhëse e mbretëreshës Vittoria nga ana e të atit, ndërsa Filipi nga ana e mamasë.
Feston dy ditëlindje
Data e vërtetë e ditëlindjes është 21 prilli, por nuk festohet në mënyrë zyrtare deri më 11 qershor. Mbretërit që kanë lindur në muajt e ftohtë, sipas traditës, e festojnë ditëlindjen kur kushtet e motit janë më të favorshme për të bërë parada.
Sundim rekord
Elizabeta ka sunduar aq gjatë sa katër britanikë në pesë akoma nuk kishin lindur kur ajo është ngjitur në fron. Është bërë mbretëreshë fill pas vdekjes së të atit, më 1952-shin. Sot, 90 vjeçe, është sunduesja më jetëgjatë në botë.
14 kryeministra britanikë dhe 13 presidentë amerikanë
Gjatë 65 viteve të mbretërimit të saj, Elisabeta ka njohur 14 kryeministra britanikë dhe 13 presidentë amerikanë.
260 udhëtime jashtë shtetit
Qëkur është bërë mbretëreshë, Elizabeta ka bërë rreth 260 udhëtime jashtë shtetit si një përfaqësuese e mbretërisë.
Nuk është e pasur
Edhe pse me një trashëgimi të madhe mbretërore, Elisabeta II është shumë larg të qenët një ndër personat më të pasur të mbretërisë. Pasuria e saj personale arrin në 340 milionë sterlina.
Paguan taksat, edhe pse nuk i takon
Mbretëresha nuk duhet të paguajë taksa, por ka zgjedhur ta bëjë këtë vullnetarisht që më 1993-shin.
Një gotë shampanjë përpara se të shkojë në shtrat
Një sekret i mbretëreshës që këtë vit feston 91-vjetorin e saj? Një gotë shampanjë çdo natë përpara se të shkojë të flejë.
Besnike e së njëjtës ngjyrë manikyri
Që më 1989-n, mbretëresha përdor të njëjtën ngjyrë manikyri. Një rozë e lehtë delikate që nuk është aspak e kushtueshme.
As pasaportë, as patentë
Edhe pse një kalorëse shumë e aftë, mbretëresha nuk e ka marrë asnjëherë patentën. Të njëjtën gjë dhe me pasaportën. Kjo, sepse ajo nuk e ka të nevojshme.
Është denoncuar se nuk vinte rripin e sigurimit
Më 21 qershor 2017, policia e Yorkshire ka marrë një telefonatë nga një numër emergjence 999, ku donin të padisnin mbretëreshën, sepse ajo po udhëtonte pa lidhur rripin e sigurimit.
Një çantë për të çuar mesazhe të koduara
Mbretëresha përdor një çantë për t’u çuar mesazhe të koduara asistentëve të vet. Kjo është zbuluar kohët e fundit nga “Telegraph” i Londrës: kur Elizabeta vendos çantën mbi tavolinë, dëshiron që takimi të mbarojë për të paktën dhe pesë minuta. Nëse e ul në tokë, do të thotë se nuk dëshiron të rrijë në këtë bisedë të mërzitshme.
Asnjë mbiemër
Mbretëresha nuk ka një mbiemër.
Nuk mund të ndiqet penalisht dhe nuk mund të dëshmojë
Mbretëresha Elizabetë nuk mund të ndiqet penalisht dhe nuk është e detyruar të dëshmojë në gjyq. Natyrisht Elizabeta nuk abuzon me fuqitë e saj: “Edhe pse procedurat civile dhe penale nuk mund të ushtrohen kundër sovranit, lexohet në web-in e familjes mbretërore – mbretëresha është e kujdesshme për të siguruar që të gjitha aktivitetet e saj të kryhen në përputhje të plotë me ligjin”./ KultPlus.com

Të ngjajshme