26 Korrik, 2019 - 11:46 am
Suksesi i saj në tregun ndërkombëtar ka bërë që shqiptarja Ava Max, tashmë të renditet në rangun e artistëve më të suksesshëm shqiptarë jashtë vendit.
Hitet “Sweet but Psycho” dhe “So am I” i dhuruan asaj njohje ndërkombëtare, miliona shikime në YouTube si dhe mijëra fansa në rrjetet sociale.
I gjithë ky sukses u shpërblye më në fund edhe me një noiminim për në ngjarjen e madhe të ndarjes së çmimeve, MTV Video Music Awards.
Ava Max ka arritur që të nominohet në kategorinë “Artisti i ri më i mirë i vitit”, krahas emrave tjerë të njohur si: Billie Eilish, H.E.R, Lil Nas X, Lizzo dhe Rosalia.
E lumtur për këtë sukses, shqiptarja me prejardhje nga Saranda ka publikuar në rrjetin social Instagram një fotografi, duke treguar se sa e lumtur ndjehet me këtë nominim, i cili siç thotë ajo vjen pas shumë tentativash për të depërtuar në tregun ndërkombëtar.
“Faleminderit MTV. Nuk mund të besoj që jam nominuar për herë të parë në VMA. Wow. Wow… ëndrrat bëhen realitet. Pas disa vitesh refuzim, në një mënyrë kam arritur në këtë pikë. Mezi pres të ndajë këngët e reja me ju. Jam aq mirënjohëse përtej fjalëve dhe në një mënyrë jam duke përpunuar gjithçka që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Ju dua shumë”, ka shkruar Ava Max.
Përveç artistes nga Shqipëria, të nominuara sivjet në MTV Video Music Awards janë edhe dy këngëtaret tjera të famshme shqiptare: Dua Lipa dhe Bebe Rexha, të cilat garojnë për të njëjtin çmim, “Kënga më e mirë ritmike”. /Telegrafi/ KultPlus.com