15 Shtator, 2020 - 4:30 pm
Ylli i hitit “Sweet But Psycho”, Ava Max, mendon se është e çuditshme që njerëzit i krahasojnë artistet femra mes veti dhe insiston se një gjë e tillë nuk duhet ndodhur.
Edhe pse pop ylli 26-vjeçar mendon se fituesja e shumëfishtë e çmimit Grammy, Lady Gaga është një artiste e mahnitshme, Ava Max thotë se është e kotë t’i vendosësh dy këngëtare në një kuti dhe t’i krahasosh ato, vetëm ngase kanë të njëjtën ngjyrë të flokëve dhe kultivojnë muzikë pop, transmeton Koha.
Në një intervistë të fundit për gazetën “The Sun”, këngëtarja me prejardhje shqiptare tha: “Shumë njerëzit më krahasojnë me Lady Gagan e cila në fakt është e mahnitshme. Ajo është artistja më e mirë e dekadës prandaj nuk mund të thuash asgjë të keqe për të. Por, mendoj se shumë njerëz më krahasojnë me të vetëm për shkak të ngjyrës së bardhë të flokëve dhe faktit se që të dyja bëjmë muzikë pop. Dhe kjo gjë më duket e çuditshme. Njerëzit nuk duhet t’i krahasojnë gratë në këtë mënyrë. E kuptoj se është diçka e lehtë për t’u bërë por unë jam thjeshtë vetvetja. Unë jam rritur duke u inspiruar nga shumë prej idhujve të mi të muzikë pop, dhe natyrisht i kam përvetësuar disa gjeste apo shprehi të tyre. Mendoj se të gjithë artistët që i kam dëgjuar dhe adhuruar në fëmijëri, reflektohen sot në personalitetin dhe muzikën time”.
Ava e lanson albumin e saj debutues, “Heaven & Hell”, në fund të kësaj jave dhe në të përfshihet një këngë e titulluar “Who’s Laughing Now” e cila i dedikohet të gjitha vajzave që kanë qenë pre e bulizmit të vazhdueshëm në shkollë.
Këngëtarja e kujtoi kohën kur ajo ishte në shkollë të mesme ku ishte ngacmuar vazhdimisht nga nxënësit e tjerë. Mbi të madje ishte ushtruar dhunë fizike disa herë, çka edhe e ka bërë të refuzojë të shkojë në shkollë, dhe kështu i ka ndjekur mësimet nga shtëpia. /KultPlus.com