7 Prill, 2019 - 11:30 am
Në shoun e njohur televiziv amerikan “Jonathan Ross Show”, e ftuar për këtë javë ishte këngëtarja e njohur shqiptare Bebe Rexha e cila gjatë emisionit shpalosi shumë gjëra nga jeta e saj, shkruan KultPlus.
Këngëtaret shqiptare që po bëjnë karrierë në botë, shumë shpesh po pyeten edhe rreth kombësisë së tyre. Edhe kësaj radhe Bebe nuk i shpëtoi kësaj pyetje.
Ajo u pyet nga moderatori se a është me rrënjë shqiptare dhe a flet shqip. Bebe pohoi se di të flas në gjuhën shqipe po jo aq mirë sa në anglisht.
“Po jam shqiptare dhe flas shqip nganjëherë, por më mirë e flas gjuhën angleze.”
Ajo tutje foli edhe për prindërit e saj dhe përkrahjen e vazhdueshme që merr nga ta.
“Prindërit e mi më përkrahin shumë, ata janë shqiptarë dhe vizitojnë shumë shpesh trojet shqiptare”, tregoi Bebe duke u ndjerë krenare për prejardhjen e saj.
Këngëtarja shqiptare gjatë kësaj interviste, foli tutje edhe për paraqitjet e saj skenike dhe për problemet që kishte me dizajnerët e modës.
Ajo tregoi se për qilimin e kuq të Grammys, shumë dizajnerë refuzuan ta vishnin për këtë event shumë të rëndësishëm për karrierën e këngëtares, për arsye se e konsideronin atë me përmasa shumë të mëdha trupore. Por Bebe vendosi të vishej me fustanin që ajo ndihej mirë pa i interesuar komentet e dizajnerëve. Ajo thotë që në fustanin e kuq u ndje si princeshë.
Bebe Rexha me këtë rast dha një mesazh për të gjitha vajzat.
“Pavarësisht a janë mbi peshë ose jo, femrat dhe gratë duhet ta pëlqejnë trupin e tyre sido qoftë”, tha Rexha. / KultPlus.com