29 Maj, 2020 - 12:42 pm
Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, ka konfirmuar se prindërit e saj kishin koronavirusin.
Në muajin mars, krijuesja e hitit “Meant to be” përmes Twitterit, kishte bërë të ditur se një mik i saj kishte vdekur nga virusi vdekjeprurës dhe kishte kërkuar nga fansat që të mbajnë distancën, si formë e parandalimit të përhapjes së pandemisë.
Në fund të muajit maj, Bebe Rexha, ka bërë të ditur se prindërit e saj ishin të prekur me COVID-19.
“U sëmurën dhe kishin probleme tre javë rresht dhe unë isha pa qejf”, ka thënë këngëtarja për emisionin “Extra”, transmeton KOHA.
30-vjeçarja jeton në Los Angeles ndërsa prindërit në New York. Gjatë emisionit ka pranuar se po mendonte të voziste veturën me qëllim që të jetë me prindërit.
“Mendoja të vozisja krejt kohën që të shkoja të kujdesesha. Ata nuk u pajtuan që të shkoja me vëllain, por në fund u këndellën”, ka thënë Bebe Rexha.
Gjatë izolimit, këngëtarja ka shfrytëzuar kohën për të gatuar dhe për të bërë receta të reja. Mirëpo ka konfirmuar se do të vazhdojë punën muzikore, aty ku e ka lënë.
“Në dy vjetët e fundit kam punuar dhe ndodhi koronavirusi. Çdo gjë është bllokuar. Fansat e mi janë të pakënaqur, por u kam premtuar se do t’ia vlejë. Albumin e ri e dua më shumë se të tjerët”, ka thënë Bebe Rexha. / KultPlus.com