Billie Eilish zemërthyer për faktin se po etiketohet si raciste

22 Qershor, 2021 - 12:27 pm

Ylli i muzikës, Billie Eilish, ndihet e turpëruar dhe e tmerruar me veten, për shkak të një videoje të vjetër që po qarkullon në rrjetet sociale, ku ajo shihet duke folur fjalë raciste.

Këngëtarja 19-vjeçare insiston se ajo po etiketohet si raciste kur në fakt nuk është e tillë.

Në një deklaratë të gjatë të postuar në llogarinë e saj në Instagram, Eilish ka shkruar: “Unë ju dua të gjithëve dhe shumë prej jush më keni kërkuar t’i adresohem kësaj çështje. Kjo është një temë të cilën dua ta trajtoj, sepse po etiketohem si diçka që nuk jam. Në rrjetet sociale po qarkullon një video kur unë isha 13-vjeçare dhe e këndoja një këngë e cila e përmbante një fjalë raciste që atëkohë nuk e dija se ishte term nënçmues i përdorur kundër anëtarëve të komunitetit aziatik. Ndihem e tmerruar dhe tejet e turpëruar që e kam përdorur këtë fjalë, të cilën për herë të parë e kisha dëgjuar në këtë këngë. Nuk ishte diçka që e kisha dëgjuar të përdorej në rrethin tim të shoqërisë apo nga ndonjë familjarë. Pavarësisht nga injoranca dhe mosha ime në atë kohë, asgjë nuk e justifikon faktin se ishte një fjalë lënduese. Dhe për këtë më vjen shumë keq”.

Ylli i hitit “Bad Guy” po ashtu foli për një tjetër pjesë të videos së montuar, ku ajo dëgjohet duke folur me një aksent të cilin disa njerëz po e interpretojnë sikur shaka nënçmuese ndaj aziatikëve.

“Në videon tjetër që është një klip i montuar unë dëgjohem duke folur fjalë pa kuptim dhe më një zë të cilin e kisha shpikur si fëmijë. Kështu flisja sa herë që bëja shaka apo iu adresohesha kafshëve shtëpiake, miqve të ngushtë apo familjarëve të mi. Janë fjalë pa kurrfarë kuptimi dhe një budallallëk absolut i një vajze të papjekur, dhe në asnjë mënyrë nuk është një imitim i askujt ose i ndonjë gjuhe, theksi apo kulture tjetër. Kushdo që më njeh mua më ka parë duke bërë zëra të këtillë gjatë gjithë jetës”, deklaroi këngëtarja.

Tutje Eilish shtoi se reagimet me të cilat janë pritur këto video, ia thyejnë zemrën sepse ajo nuk do të dëshironte që njerëzit të lëndoheshin nga ky keqinterpretim.

“Pavarësisht se si është interpretuar kjo video, unë asnjëherë nuk kam dashur që ndonjë nga veprimet e mia t’i lëndojë të tjerët, dhe absolutisht më thyhet zemra për faktin se po etiketohet si video raciste dhe kështu mund të shkaktojë dhimbje tek njerëzit që e dëgjojnë atë. Unë jo vetëm që besoj, por gjithmonë kam punuar shumë për ta përdorur platformën time për të luftuar për përfshirjen, mirësinë, tolerancën, drejtësinë dhe barazinë. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë të nxisim biseda që i luftojnë padrejtësitë dhe diskriminimet, të mësohemi të dëgjojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Ju dua shumë të gjithëve”, përfundoi këngëtarja.

Billie Eilish aktualisht po bëhet gati ta hedhë në treg albumin e dytë muzikor, “Happier Than Ever”, i cili pritet të lansohet më 30 korrik të këtij viti. / Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme