12 Maj, 2020 - 10:42 am
Një maratonë telefonike e mbajtur të hënën në New York City, arriti t’i mbledhë 115 milionë dollarë të cilat do t’iu dhurohet personave të prekur nga koronavirusi. Kështu kanë bërë të ditur organizatorët e kësaj ngjarjeje.
Me titull “Rise Up New York!”, eventi i përfshiu performancat e yjeve të njohur të muzikës të tillë si: Billy Joel, Mariah Carey, Sting dhe të tjerë, si dhe mblodhi të holla për organizatën bamirëse “Robin Hood” e cila i dedikohet luftës ndaj varfërisë në këtë qytet, transmeton Koha.
Gjatë kësaj maratone telefonike, ylli i muzikës Billy Joel e interpretoi këngën “Miami 2017 (Seen The Lights Go Out On Broadway)”.
Performanca e tij u transmetua në sheshin e zbrazët “Times Square” në New York, që është epiqendra e pandemisë së COVID-19 në Amerikë. Ky qytet i cili i strehon miliona njerëz, ka javë të tëra që është në karantinë.
Edhe diva e muzikës, Mariah Carey, performoi në këtë ngjarje duke e sjellë një interpretim të shkëlqyer të hitit të saj, “Make It Happen”, ndërsa Sting e interpretoi këngën e tij të famshme, “Message in a Bottle”.
Po ashtu gjatë mbrëmjes, u shpërndanë mesazhe të shumta të shpresës dhe fuqisë nga yje të tillë si, Jennifer Lopez dhe Trevor Noah.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në New York City, llogaritet se ky qytet i ka humbur më shumë se një të tretën e 81 mijë jetëve të humbura në tërësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Më shumë se 335 mijë njerëz janë prekur me COVID-19 në SHBA, 185 mijë prej së cilëve janë nga New York City. / KultPlus.com