14 Dhjetor, 2021 - 1:05 pm
Brad Pitt nuk mjaftohet vetëm me aktrimin dhe tashmë po i hedh sytë edhe nga industria e muzikës. Aktori 57-vjeçar është bashkuar me producentin muzikor fitues të çmimit “Emmy” Damien Quintard për të rihapur “Miraval Studios” – objekti legjendar i regjistrimit të vendosur në Château Miraval në Correns, Francë, që ka organizuar seanca për Pink Floyd, Sting dhe Cranberries – pas një ridizajni të plotë.
Studioja muzikore, e cila u ndërtua në vitin 1977 nga pronari i atëhershëm i Château Miraval, Jacques Loussier, mbeti kryesisht e papërdorur për dy dekada derisa Pitt dhe Quintard vendosën të rinovojnë hapësirën për muzikantët për të bërë regjistrime të reja.
Në një deklaratë për shtyp, Quintard tha se ai u kuptua menjëherë me Pitt kur të dy u takuan në Paris.
“Ishte një moment intensiv ku ne thjesht folëm dhe folëm për zërin. Isha i habitur se sa i ndjeshëm dhe i saktë ishte ai në analizën e tij të muzikës”, tregoi ai.
Studioja e përditësuar do të shfaqë shumë nga pajisjet e saj origjinale të regjistrimit të integruara në një mjedis modern—duke përfshirë një tavolinë të projektuar personalisht nga Pitt dhe Quintard. Ambienti do të ketë gjithashtu kabina të shumta regjistrimi, stacione pune për redaktimin e zërit dhe videove, pajisje dhe sintetizues të rrallë muzikor dhe një kat i ndërmjetëm me pamje nga e gjithë studioja.