25 Maj, 2021 - 11:56 am
Vetëm një ditë pasi Bruno Mars u bë artisti i parë në histori që ka arritur certifikim diamanti për pesë këngë, revista “Bilboard” raporton se pop ylli 35-vjeçar ia ka shitur një pjesë të katalogut të këngëve të tij, kompanisë botuese muzikore “Warner Chappell”.
Besohet se ngjarja ka ndodhur para më shumë se gjashtë muajve.
Sipas revistës “Billboard”, Mars, i cili e posedon një katalog prej 232 këngësh, e ka mbajtur një përqindje të vogël të ‘aksioneve’ të këngëve të shitura. Derisa kushtet e kësaj marrëveshjeje nuk janë bërë publike, burime të afërta me këngëtarin thonë se avokati i këngëtarit, Scott Felcher, është kujdesur për procesin e blerjes.
“Bruno është një gjeni kreativ dhe është një nderë i madh për ne që po e thellojmë bashkëpunimin me të. Në zemër të talenteve që ai i posedon, e që janë të shumta, përfshihet edhe aftësia e tij e jashtëzakonshme si tekstshkrues dhe të cilën ai e kishte përsosur me vite të tëra, para se të bëhej një superyll i muzikës. Ashtu siç mund të bëjnë vetëm yjet e mëdhenj, ai ka zotëruar dhe tejkaluar zhanre të shumta muzikore me origjinalitet dhe shkathtësi të jashtëzakonshme. Bota do të vazhdojë të dashurohet me këngët e tij, edhe në brezat e ardhshëm”, ka deklaruar Guy Moot, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Warner Chappell”.
Kurse Mars në një intervistë për revistën “Billboard”, duke folur për këtë marrëveshje të re tha: “E kam filluar karrierën në studion incizuese ‘Atlantic’ dhe kishte kuptim ta mbaja biznesin tim në familje, me ekipin që më ka përkrahur gjëra gjithë karrierës dhe është rritur bashkë me mua në këtë industri. Me këtë marrëveshje të re, unë po e vazhdojë bashkëpunimin me njerëz të cilëve u besoj. Jemi vetëm në fillimet e rrugëtimit tonë, dhe shumë gjëra të reja pritet të vijnë në vazhdim”.
Pra siç u potencua edhe më herët, lajmi për shitjen e këngëve nga katalogu i tij muzikor vjen vetëm një ditë pasi Mars bëri histori, duke u bërë artisti i parë që ka arritur certifikim diamanti për pesë këngët e tij, “Just the Way You Are”, “Grenade”, “When I Was Your Man”, “Uptown Funk!” dhe “That’s What I Like”.
Në muajin mars, Bruno Mars e lansoi bashkëpunimin e tij të ri me artistin, Anderson .Paak dhe dyshen e muzikës, “Silk Sonic”. Kënga me titull “Leave the Door Open” debutoi suksesshëm në toplistat muzikore, duke u bërë projekti i tetë muzikor i Marsit i pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard Hot 100”. Kënga gjithashtu do të përfshihet në albumin e ardhshëm bashkëpunues të këtyre artistëve./ Koha.net / KultPlus.com