Carla Bruni nën hetim për rolin e saj në çështjen Sarkozy

29 Qershor, 2024 - 8:45 pm

Carla Bruni-Sarkozy është marrë në pyetje nga hetuesit pas hapjes së hetimeve që lidhen me tërheqjen e dëshmisë akuzuese në vitin 2020 kundër Nicolas Sarkozy nga ndërmjetësi Ziad Takieddine.

Çështja është pjesë e zhvillimeve të hetimit për financimin e pretenduar të fushatës presidenciale të vitit 2007, të fituar nga Sarkozy, me fonde libiane.

Burime pranë hetuesve kanë raportuar se ish top modelja dhe këngëtarja rrezikon të akuzohet për krime të tilla si, bashkëpunim në ndikimin e një dëshmitari apo komplot kriminal që synon korruptimin e gjyqtarëve libanezë.

Bruni, gjatë seancës gjyqësore – data e së cilës nuk dihet ende – mund të vihet në hetim me statusin më të favorshëm të “dëshmitarit të informuar për faktet”.

Më 2 maj, Carla Bruni u mor në pyetje për tre orë nga hetuesit, të cilëve u shpjegoi se çfarë marrëdhënieje kishte me personazhin kyç në këtë aferë.

Michèle Marchand, e njohur si “Mimi”, një figurë kryesore në gazetarinë “popullore” në Francë, dyshohet se ka orkestruar tërheqjen e dëshmitarit, ndërmjetësit dhe biznesmenit Ziad Takieddine.

Në vitin 2020, Takieddine, i konsideruar nga Sarkozy si akuzuesi kryesor i tij, papritmas shfajësoi – përkohësisht – ish-presidentin, duke kundërshtuar akuzat e tij të mëparshme.

Hetuesit kanë dyshuar prej kohësh se disa persona të afërt me Sarkozy – anëtarë të familjes, bashkëpunëtorë, besnikë – kanë organizuar tërheqjen për të minuar besueshmërinë e vetë Zakieddine, i cili pas disa javësh u tërhoq dhe e mohoi tërheqjen./ KultPlus.com

Të ngjajshme