1 Shtator, 2018 - 9:07 pm
Tashmë janë 20 vjet që kur Warner Bros kishte nënshkruar marrëveshje për krijimin e filmave serik të “Harry Potterit”, të inspiruara nga novelat e shkrimtares britanike J. K. Rowling, e cila me veprat e saj ka inspiruar shumë artistë të tjerë të zhanreve të ndryshëm.
E kjo nuk ka lënë pa prekur edhe yjet shqiptare të muzikës me famë botërore, Rita Ora, Dua Lipa e Bebe Rexha, që janë “të lidhura” me “Harry Potterin”, transmeton Koha.net.
Në 20 vjetorin e “Harry Potterit” revista Rolling Stone ka publikuar një artikull në të cilën ka bërë një intervistë me artistë të ndryshëm, të cilët kanë treguar lidhjet e tyre me filmin fiktiv të famshëm.
Rita Ora ka zbuluar se ishte pjesë e këtij filmi.
“Një fakt pak i ditur, por unë isha pjesë e ‘Harry Potter and the Prisoner of Azkaban’ si aktore e re. Kam bërë një paraqitje në klasën ‘Divination’ të Sybill Trelawney”, thotë Rita Ora.
E pyetur se cilës shtëpi të Hogwartsit i përket ajo shton se, “në fakt kam qenë pjesë e kastit të Gryffindorit, por tani si e rrritur më pëlqen më tepër Slytherini. Kam zemrën e një Gryffindori, e përkushtimin dhe lidershipin e Slytherinit”.
E Bebe Rexha zgjedh Gryffindorin, përkundër që mendon se do të duhej të ishte te Slytherini.
“Vërtet mendoj se do të duhej të isha te Slytherini, por nuk dua të jem e keqe prandaj them Gryffindor”, shprehet ajo.
E pyetur se me cilët prej karaktereve do të donte të darkonte, Bebe Rexha është përgjigjur shkurt, “përfundimisht me Dumbledoren dhe Harry Potterin”.
Kurse Rita Ora e pyetur se cila klasë në Hogwarts do ta ndihmonin në jetën reale ajo tregon për kujdesin për kafshët.
“Përfundimisht klasa ‘Kujdesi i Krijesave Magjike’ do të ishte ndihmesa më e madhe në jetën reale, sepse më pëlqen të përkujdesem për kafshët”, thotë ajo.
E revista Rolling Stone nuk e ka harruar yllin tjetër shqiptar, Dua Lipën.
Ylli i “Hotter Than Hell” kishte bërë një turne special për Halloween në Hamburg, të cilën e kishte titulluar “Potter Than Hell”.
Gjatë performancës ajo ishte veshur ashtu si kasti i “Harry Potterit”, me të cilën kishte bërë bujë të madhe në mediat botërore./ KultPlus.com