Coco Chanel edhe agjente e dyfishtë franko-gjermane?

10 Shtator, 2023 - 2:30 pm

Një retrospektivë historike e Coco Chanel ka zbuluar prova se stilistja e famshme ishte anëtare e dokumentuar e Rezistencës Franceze, por dokumentet e papara deri tani, së bashku me provat kontradiktore, thonë se ajo vepronte edhe si agjente naziste, shkruan Jess Cartner-Moley pë ”The Guardian”.

Dokumentet në lidhje me aktivitetet e Chanel-it në Parisin e kohës së luftës janë shumë  serioze, brenda asaj që ka të ngjarë të jetë ekspozita më magjepsëse e vitit, së bashku me shumë veshje të stiluara nga Coco.

“Ne nuk mund të bënim një shfaqje për Chanel dhe të mos përmendnim faktet e tjera të saj të kohës së luftës”, tha kuratorja, Oriole Cullen.

Dokumentet e papara nxjerrin në pah emrin “Gabrielle AKA Coco Chanel” në një listë prej 400 000 personash, pjesa e të cilëve mbështetet nga të dhënat zyrtare.

”Ne kemi verifikimin nga qeveria franceze, përfshirë një dokument të vitit 1957, i cili konfirmon pjesëmarrjen e saj aktive në Rezistencë”, tha Cullen.

Muzeu do të shfaqë gjithashtu prova të forta se Chanel ka bashkëpunuar me gjermanët në Parisin e pushtuar, përfshirë transkriptet e marrjes në pyetje të pasluftës të tre zyrtarëve nazistë, të cilët të gjithë veçmas e konsiderojnë atë si një burim të besuar.

”Dëshmitë e reja nuk e shfajësojnë atë. Kjo vetëm e bën fotografinë e saj më të komplikuar. Gjithçka që mund të themi është se ajo ishte e përfshirë me të dyja palët”, tha Cullen.

Cullen tregon se një fëmijëri e kaluar në një manastir francez pas vdekjes së nënës së saj dhe zhdukjes së babait, ka prodhuar një personazh, prirja e të cilit për vetëmbrojtje e bëri atë instinktivisht të djathtë.

Ajo tha se stilistja ishte ”më shumë se çdo gjë një e mbijetuar, gjithmonë në kërkim të mundësive për të ecur përpara gjatë jetës”.

Gjatë fillimit të viteve 1940, Chanel pati një marrëdhënie me oficerin nazist Baron Hans Günther von Dincklage, të cilën ajo e përdori për të liruar nipin e saj, André Palasse, nga një kamp gjerman i të burgosurve të luftës.

Chanel ka pasur lidhje edhe me BM.

Një portret në vaj i Chanel-it, i pikturuar nga Winston Churchill, dëshmon për një marrëdhënie të ngushtë me shoqërinë britanike, të krijuar përmes romancës së saj me Dukën e Westminsterit.

Nazistët i kishin vënë stilistes emrin e koduar “Westminster”. / KultPlus.com

Të ngjajshme