24 Shkurt, 2019 - 9:02 am
Ajo ndoshta ka shkëlqyer në skenë, mirëpo ishte babai atraktiv i Dua Lipës që e vodhi spektaklin në Brit Awards. Kështu shkruajnë mediat botërore për Dukagjin Lipën dhe pjesëmarrjen e tij në evenimentin e popullarizuar britanik.
“Depërtimi më i mirë… Babai i Dua Lipës! Babai hamshor i këngëtares e vodhi spektaklin në Brit Awards” – ky është titull i artikullit të tabloidit britanik, Daily Mail, kushtuar dukjes së Dukagjin Lipës në ceremoninë britanike të ndarjes së çmimeve muzikore.
Ndërsa revista amerikane People e ka titulluar kështu artikullin e vet: “Babai shumë atraktiv i Dua Lipës tërhoqi vëmendjen në Brit Awards”.
Hamshori Dukagjin Lipa, një yll roku në vendin e tij Kosovë, ka tërhequr vëmendjen në O2 Arena të Londrës dhe madje nikoqiri Jack Whitehall është mahnitur me dukjen e tij.
Ai e quajti Dukagjinin “babanë me dukjen më të mirë në industrinë e muzikës” dhe me shaka i kërkoi Duas që t’i ndërronin prindërit. Ndërkohë që prindërit krenarë të Duas ishin të lumtur me vëmendjen që e morën para ceremonisë në të cilën vajza e tyre e fitoi çmimin për incizimin më të mirëpër “One Kiss”.
Dhe nuk ishte vetëm nikoqir i spektaklit që e vërejti prezencën e babait të këngëtares në Brit Awards, pasi shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë shkruar për dukjen e mirë të shqiptarit nga Kosova.
Fansat e kanë kërkuar emrin e Dukagjin Lipës në Instagram dhe profili i tij tash numëron mbi 181 mijë ndjekës – vazhdon artikulli i Daily Mail.
Në vazhdim edhe tabloidi britanik edhe revista People kanë shkruar për Festivalin Sunny Hill që e ka themeluar ai. “Ish-muzikanti po ashtu ka themeluar një festival muzikor në vendlindjen e tij, në përpjekje për të ndryshuar çfarëdo perceptimi të gabuar për Kosovën…”, thuhet në artikull.
“Ne duam t’ua japim njerëzve ndjenjën se përkasin, jetojnë në Evropë dhe idenë se jemi pjesë e Evropës. Kjo është mënyra më e mirë për ta promovuar Kosovën si një vend që e do paqen dhe muzikën, që i mirëpret të gjithë fqinjët tanë dhe të gjithë vizitorët që duan të argëtohen”, citohen fjalët e Dukagjinit për Observer lidhur me Festivalin Sunny Hill. / KultPlus.com