13 Maj, 2020 - 12:30 pm
Ylli i muzikë, Dua Lipa, i ka ngacmuar fansat duke thënë se së shpejti mund ta presin një bashkëpunim të saj me këngëtaren e njohur amerikane, Normani.
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova e cila njihet për hite të tilla si, “New Rules” dhe “Don’t Start Now”, ka bërë të ditur se po planifikon ta lansoj këngën “If It Ain’t Me”, të realizuar me ish-anëtaren e bendit “Fifth Harmony”, Normani, pavarësisht se para pak javësh kënga ishte postuar online pa lejen e saj, transmeton Koha.
Gjatë një videointerviste për emisionin “Watch What Happens Live With Andy Cohen”, Lipa ka thënë se disa këngë të reja të cilat i ka realizuar, nuk kanë arritur të përfshihen në albumin “Future Nostalgia”, por bashkëpunimin e saj me Normanin ka gjasa se do ta dëgjojnë shumë shpejtë.
Dua Lipa në të kaluarën kishte bërë të ditur se do të përfshihej në njërën këngë të albumit, “Charlie’s Angels”, të pop yllit Ariana Grande, por kënga me titull “Bad To You” përfundoi duke u performuar nga, Normani dhe rep artistja Nicki Minaj.
Ndërkohë 24-vjeçarja Lipa ka thënë se, sapo të përfundojë karantina ajo planifikon të kthehet në studio për ta incizuar një duet me kolegen dhe mikeshën e saj, Miley Cyrus.
Në intervistën për emisionin “Watch What Happens Live With Andy Cohen”, Dua Lipa po ashtu foli për ndryshimin e shpeshtë të ngjyrës së flokëve, duke thënë se i pëlqen të argëtohet në këtë mënyrë, sidomos tani që po e kalon kohën në karantinë me të dashurin, Anwar Hadid. / KultPlus.com