6 Maj, 2020 - 3:30 pm
Këngëtarja 24-vjeçare me prejardhje kosovare, Dua Lipa, besohet se i ka dorëzuar dokumentet e duhura për ta regjistruar emrin e saj si brend.
Kjo që ia mundëson asaj që potencialisht të lansojë produkte me emrin “Dua Lipa”, përfshirë këtu artikuj si veshjet, kozmetika, lojërat kompjuterike, librat, aksesorët, produktet për kuzhine dhe të tjerë, transmeton Koha.
Një burim i këngëtares ka bërë të ditur për të përditshmen “The Sun”: “Dua Lipa e di që aktualisht është shumë e kërkuar dhe mund të krijoj pasuri marramendëse përmes produkteve të ndryshme. Ajo mund të lansojë artikuj të të gjitha llojeve nën emrin e saj, por e gjithë kjo varet nga zgjedhja e produkteve të duhura. Sepse këngëtarja tashmë e ka një imazh të cilin duhet ta mbrojë, prandaj nuk do të përfshihet në çfarëdo projekti.”
Avokatët e yllit të hiti “Physical” gjithashtu i kanë dorëzuar aplikacionet për mbrojtjen e emrit dhe brendit të saj në Amerikë, Kanada, Evropë, Izrael dhe në Lindjen e Largët.
Dokumentet të cilat ende nuk janë nënshkruar nga ndonjë gjykatës, ia ndalojë të tjerëve të përfitojnë nga emrin e saj dhe vlejnë për dhjetë vjet, para se të skadojnë.
Ndërkohë, Lipa ka zbuluar se planifikon të ngadalësohet paksa dhe të mos e jetojë jetën në shpejtësi, kjo pasi e ka mësuar se mund të gjesh kënaqësi edhe duke pushuar nga puna, teksa po qëndron e vetizoluar si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Mendoj se pandemia të paktën më ka mësuar që nuk kemi nevojë ta jetojmë jetën në shpejtësi. Para kësaj situate unë isha vazhdimisht e angazhuar, duke menduar rreth punës, udhëtimeve, provave për koncerte e performanca dhe të tjerë. Por, karantina e detyrueshme më ka mësuar që gjërat e tilla nuk janë shumë urgjente siç mund të duken, dhe se ne kemi mundësi të krijojmë kujtime kuptimplota, të veçanta dhe mjaft të rëndësishme edhe nga shtëpia,” citohet të ketë thënë këngëtarja.
Dua Lipa po qëndron në karantinë me të dashurin e saj, Anwar Hadid. Çifti kohën më të madhe në këtë periudhë po e kalon në shtëpi në Londër, duke shikuar TV, filma dhe duke përgatitur ushqime të ndryshme. / KultPlus.com