17 Mars, 2019 - 9:45 pm
Pasi u kthyen së bashku (tashmë prej një viti) Dua Lipa dhe Isaac Carew janë bërë imazhi i çiftit perfekt, gjithmonë gati për të ndihmuar dhe përkrahur njëri-tjetrin në çdo rast, përfshirë angazhimet profesionale. Për prezantimin e librit të tij të fundit të kuzhinës Isaac ka pasur mbështetjen e të dashurës, e cila ka qëndruar në krah të tij gjatë gjithë mbrëmjes.
Këto ditë Isaac Carew (që përveçse shefit të kuzhinës punon dhe si model) ka prezantuar në Londër,librin “The Dirty Dishes” (që mban të njëjtin emër si kanali i tij i recetave në Youtube), duke pozuar përpara fotografëve së bashku me Dua Lipën. Gjatë mbrëmjes nuk kanë munguar as puthjet në favor të fotografëve, siç shkruan “Cosmopolitan”. Problemet që shkaktuan distancimin e çiftit për një periudhë të shkurtër, pas dy viteve lidhje ( duke u kthyer bashkë në pranverën e 2018-ës), duket se janë vetëm një kujtim tanimë dhe prezenca e popstarit në këtë event është prova.
“Kur jam single, kam më shumë kohë për të bërë shumë gjëra të tjera… Mendoj, se mëson më shumë për veten kur je tërësisht vetëm dhe nuk ke askënd pranë për t’i kërkuar ndihmë. Mëson të mbështetesh tek vetja në një mënyrë tjetër” do të rrëfente Dua Lipa për “Elle” gjatë kohës kur ishte single.
Pavarësisht një mijë arsyeve pozitive e të mos qenit në një lidhje, që ajo rendiste, me sa duket i është dorëzuar dashurisë së vërtetë në krahët e Isaac: “Jeta është shumë e shkurtër për të mos thënë ‘Të dua’. Jam një mbështetëse e bindur e dashurisë dhe fajësoj prindërit e mi për këtë, sepse kanë një lidhje me të vërtetë të mirë dhe mendoj se kjo ka bërë që unë të fiksoj standarde shumë të larta në dashuri”, ka shpjeguar popstari i “One Kiss”. /Anila Dedaj/ Gazeta Shekulli