7 Janar, 2020 - 2:30 pm
Këngëtarja kosovare Dua Lipa, shihet e maskuar duke u recituar copëza të këngëve të saj të panjohurve në një supermarket në Amerikë.
Dua ishte pjesë e një segmenti humoristik të zakonshëm në emisionin më të shikuar në SHBA, “The Ellen DeGeneres Show”, transmeton Koha.net.
Prezantuesja e këtij emisioni, Ellen, zakonisht e dërgon skenaristen e saj Laura në dyqanin “World Market”, për t’u recituar të panjohurve fragmente të këngëve të famshme.
Por kësaj radhe, duket se Ellen ka arritur ta bindë edhe Duan që të bëhet pjesë e këtij segmenti qesharak, i cili u mirëprit nga publiku.
Megjithëse Dua ishte maskuar me një paruke me flokë të gjata dhe voluminoze dhe një palë syze të mëdha, sërish, askush nuk arriti të identifikojë pop yllin botëror.
Ndërsa reagimet nga këta të panjohur ishin të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve pozitive. Duke qenë se shumica e këngëve të Duas flasin për dashurinë apo zemër thyerjen, ajo madje gjeti përkrahje dhe kurajë nga disa prej personave të përfshirë në këtë kamerë të fshehur.
Dua ishte aq natyrale në aktrimin e saj, saqë të bën të mendosh se nuk e ka pasur fare siklet t’u afrohet njerëzve të panjohur dhe t’u recitoj atyre vargje këngësh. Përveç prezantueses Ellen, që ishte shumë falënderuese ndaj Duas për bashkëpunimin, edhe publiku e fansat e këngëtares e mirëpritën këtë video, duke e klikuar rreth 300.000 herë brenda vetëm 15 orësh. /KultPlus.com