20 Tetor, 2020 - 10:37 am
Ylli i hitit “Hero, Enrique Iglesias, do të nderohet me çmimin “Artisti më i mirë latin i të gjitha kohërave” në edicionin e sivjetme të ceremonisë “2020 Billboard Latin Music Awards”.
Shpërblimin, këngëtari do ta pranojë më 21 tetor në qendrën “BB&T Center” në Florida, me ç’rast nderohet karriera e tij e mbushur me suksese në skenën muzikore, përfshirë këtu faktin se i ka shitur më shumë se 180 milionë albume, transmeton Koha.
Muzika e Iglesias është shkarkuar 19 miliardë herë në platformat muzikore, si dhe videoklipet e artistit kanë arritur t’i marrin rreth 17 miliardë klikime. Mbi 10 milionë njerëz i kanë ndjekur koncertet e këngëtarit anembanë botës, derisa Iglesias pritet ta fillojë turneun e tij të radhës në vitin 2021.
Afo Verde, kryetari dhe kryeshefi ekzekutiv i studios “Sony Music Latin Iberia”, citohet të ketë thënë: “Enrique është një artist ikonik, yll global i muzikës dhe një profesionist i kësaj industrie, por më e rëndësishmja, ai është një njeri i jashtëzakonshëm. Muzika e tij i ka kaluar gjeneratat, dhe ky shpërblim më se i merituar është vetëm testament i ndikimit të vazhdueshëm të tij, në skenën muzikore botërore. Për ne si ‘Sony Music’ është një nderë i veçantë të punojmë me të. Urime, Enrique!”.
Gjatë një interviste në vitin 2018, Iglesias e kishte pranuar se një ditë dëshiron të ndalojë së realizuari turne dhe të fokusohet në familjen e tij. Këngëtari i njohur spanjoll tre fëmijë, Lucy, Nicholas dhe Marym, me partneren e tij prej 19 vjetësh, Anna Kournikova. / KultPlus.com