23 Maj, 2019 - 8:51 pm
Kanë arritur rezultatet e shikueshmërisë së episodit të fundit të hit serisë së HBO “Game of Thrones” dhe shifrat janë të shkëlqyeshme.
HBO ka njoftuar se përfundimi i serisë epike në HBO dhe në streamingun HBO Go dhe HBO NOW është ndjekur nga madje 19.3 milionë shikues, që është pothuajse një milion më shumë se episodi i javës së kaluar i cili me 18.4 milionë shikues deri më tani ishte rekorder. U raportua gjithashtu se 13.6 milionë njerëz e kanë shikuar episodin në ora 21 (sipas orës së atjeshme) në kanalin HBO, që është një rekord në historinë e HBO. Rekordin e mëparshëm e mbante seria legjendare “The Sopranos”, më saktësisht premiera e sezonit të 4-të e vitit 2002, e cila atëherë i tërhoqi 13.4 milionë njerëz.
Fundi i Game of Thrones i ndau shikuesit. Derisa disa janë të mahnitur me përfundimin e tregimit të cilin e kishin ndjekur për tetë vjet, të tjerët janë të zhgënjyer. Më konkretisht, episodi i fundit The Iron Throne në faqen e Rotten Tomatoes i mori vetëm 56%, që do të thotë se ishte ndër episodet më të këqija në historinë e serisë. I gjithë sezoni i 8-të i mori 69%, gjë që e bën atë sezonin më të keq të serisë.
Një peticion i cili kërkon rixhirimin e sezonit të fundit aktualisht ka më shumë se një milion e 300,000 nënshkrues, shkruan KOHA Ditore.
Nëse keni shpresuar se pas përfundimit të “Game of Thrones”, me të cilin shumica e fansave nuk janë të kënaqur, do të pasojë vazhdimi i serisë, nga HBO konfirmuan se nuk ka kurrfarë vazhdimi.
Presidenti i programit të HBO-së Casey Bloys deklaroi në një intervistë me Hollywood Reporter se absolutisht nuk do të ketë vazhdim të tregimit të Game of Thrones./ KultPlus.com