19 Maj, 2019 - 5:50 pm
12 talentet që avancuan në etapën e ardhshme të “The Voice’ në Francë u shpallën të shtunën, e njëri prej tyre ishte shqiptari Gjon Muharremaj.
Në garën tmerrësisht të forte në kryeqytetin francez, Gjoni ka mahnitur jurinë me performancën e tij, por duket një rol vendimtar në shpëtimin e “Gjon Tear`s” e ka pasur vota e teleshikuesve.
I lindur në Zvicër, djaloshi tejet i talentuar e ka të atin nga Kosova, dhe nënën nga Tirana. Ai flet një shqipe të pastër e siç rrëfente kohë më parë në Top Channel, i ka vënë vetes qëllim qe zëri t`i dëgjohet në Shqipëri dhe jashtë saj.
Emrin e skenës ka zgjedhur ta ketë Gjon’s tears, për shkak të gjyshit që ishte emocionuar shumë nga hera e parë kur Gjoni, asokohe fëmijë, kishte nisur të interpretonte një këngë.
Së fundi, i riu ka qenë duke shijuar suksesin e projektit të tij muzikor “Babi”, një këngë me të cilën elektrizoi dhe finalen e “The Voice Kids”.
Gjoni ishte vetëm 12 vjeç kur mahniti jurinë e “Albanians Got Talent” me zërin e tij të fuqishëm, dhe duket i vendosur të mos mungojë dhe në skenat shqiptare, për të qenë sa më pranë një publiku të cilin e ka shume për zemër./topchannel/ KultPlus.com