6 Janar, 2018 - 4:22 pm
Shumica e studentëve të Universitetit të Prishtinës s’kanë njohuri për veprimtarinë e Hasan Prishtinës megjithëse deklarohen se kanë dëgjuar emrin e tij. Ky konstatim ka dalë nga sondazhi i realizuar me 675 studentë të nëntë fakulteteve të UP-së. Të njëjtit janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre, përveç se kanë pasur njohuri për këngëtarin, kanë ditur edhe këngët e tij.
“Hasan Prishtinën e njoh veç si emër”, kjo është njëra prej përgjigjeve që kanë dhënë disa prej 675 studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në një sondazh të realizuar nga studentët e Departamentit të Gazetarisë në UP.
Studentët e nëntë fakulteteve janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre kanë njohur këngëtarin dhe këngët e tij.
Janë intervistuar 675 studentë nga nëntë fakultetet e UP’së.
Mostra e hulumtimit është bërë qëllimshëm në fakultetet e UP’së, në të cilat studiohen shkencat natyrore, ekonomia, tekniku, edukata fizike, arti e mjekësia.
Krejt rezultate tjera kanë dalë në Fakultetin e Arteve për Getoar Selimin.
89 për qind e studentëve të anketuar në Arte kanë thënë se njohin shumë mirë Selimin. 65 për qind kanë treguar edhe këngët e preferuara të këngëtarit.
“Është marrë me çështje kombëtare” ishte përgjigjja që dominoi në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, kur 75 studentët e këtij fakulteti u pyetën se me çka është marrë Hasan Prishtina.
Në Fakultetin e Edukimit 97 për qind e studentëve janë deklaruar se e njohin këngëtarin Getoar Selimi dhe përmendin disa nga këngët e tij. Në anën tjetër, 95 për qind e studentëve janë përgjigjur me ‘Po’ kur janë pyetur se a njohin Hasan Prishtinën.
Të gjithë të anketuarit në Fakultetin Ekonomik kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën. Por, kur janë pyetur konkretisht se me çka është marrë Prishtina, 20 për qind prej tyre kanë thënë se ai është figurë historike; 23 për qind luftëtar; atdhetar, politikan, deputet etj. 8 për qind kanë thënë se nuk kanë njohuri.
Mjekët e ardhshëm të Kosovës kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën si emër.
Në Fakultetin Teknik, prej 75 studentëve të anketuar, 97 për qind e tyre kanë thënë se e njohin Hasan Prishtinën. Kur janë pyetur “Çka dini për Hasan Prishtinën” 73 për qind kanë dhënë përgjigje të përgjithshme, duke thënë se ka qenë njeri i fortë, me mustaqe, me flokë të thinjura etj.
Ky sondazh është realizuar nga studentët e vitit të dytë, të nivelit Master, drejtimi “Gazetari dhe kontakte me publikun” në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të lëndës “Teoritë e komunikimit masiv”, ligjëruar nga prof. Lindita Tahiri, ka nxjerrë rezultate se sa informohen te rinjtë në epokën e informacionit.
Hulumtimi është publikuar në blogun e profesoreshës Tahiri, i emëruar “dil prej Ku je ti”.
Po ashtu, një hulumtim tjetër, me 1044 respodentë, në katër komunat që patën shkuar në balotazh, ka dalë se qytetarët votojnë ende për inati dhe për të keqen më të vogël. / KultPlus.com