18 Gusht, 2018 - 9:09 am
Youtube vazhdon të mbetet një prej platformave matëse të suksesit të projekteve muzikore. Të blera apo të merituara, kjo vazhdon të jetë diskutim i gjatë e pa përgjigje, por që janë referencë, këtë s’mund ta mohojë askush.
E me këto shifra marramendëse, projektet e artistëve shqiptarë po i konkurrojnë ata të artistëve ndërkombëtarë. Edhe ky një debat i gjatë dhe zor i përputhshëm me realitetin, transmeton emisioni Express në KTV.
“Bon Bon”, “Të ka lali shpirt”, “Bow Down”, “E kam pas”, “Show Biz” janë pesë këngët të cilat audienca shqiptare i ka dëgjuar më së shumti nga të gjitha projektet që janë publikuar deri më tani në YouTube. Është për t’u çuditur me disa prej emrave që janë pjesë e kësaj liste, por që kjo është renditja.
Këtyre projekteve u prin sensacioni i vitit 2016, “Bonbon” i këngëtares kosovare tashmë me famë ndërkombëtare, Era Istrefi, këngë kjo e lansuar dy vjet më parë e që më vonë ia hapi asaj rrugët për tregun e huaj të muzikës.
Gjithsej 600 milionë klikime ka ky projekt në Youtube. “Bonbon”, për muaj të tërë u dëgjua jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Madje, kjo këngë ishte e para shqip që u bë pjesë e top-listës së MTV-së.
Përveç tjerash, kjo këngë Era Istrefit ia solli kontratën më një prej kompanive më të mëdha muzikore, Ultra Music.
Era më pas solli edhe disa këngë të tjera, por që suksesin e kësaj me klikime, është larg për ta prekur.
2. Pas “Bon bon-it”, nëse bazohemi te klikimet në YouTube, kënga “Të ka lali shpirt” e Silva Gunbardhit në bashkëpunim me Mandin e Dafin, vazhdon të mbetet një nga projektet më të kilikuara shqip.
Kjo këngë numëron hiç më pak se 400 milionë klikime.
“Të ka lali shpirt” u publikua në janar të 2013-s dhe qysh pas publikimit, ajo u dëgjua kudo, madje për një kohë të gjatë.
3. Një bashkëpunim i cili erdhi befasi për publikun atë kohë, ishte ai mes reperit Noizy dhe Encës. Qysh në kohën kur u paralajmërua, ky projekt i gëzoi dëgjuesit e të dy këngëtarëve.
“Bow Down” që bashkoi këtë dyshe rezultoi mjaft i suksesshëm, duke mbetur kështu një nga projektet më të dëgjuara shqiptare dhe i cili deri më tani numëron mbi 108 milionë klikime.
Por, pavarësisht suksesit, ky mbetet projekti i fundit që Noizy me Encën e sollën, kjo pasi dihet se Enca nuk i përket më labelit OTR.
4. Një bashkëpunim i cili është i katërti në këtë listë është edhe ai mes Sabina Danës dhe Dafi Dertit. Kjo këngë u pat publikuar në nëntor të 2012-s, derisa dëgjueshmëri pati edhe verën e 2013-s dhe më tej.
Ky bashkëpunim, në YouTube numëron hiç më pak se 103 milionë, dhe kështu e bën atë në mesin e emrave më të klikuar te projektet shqiptare në YouTube.
Sabiani, Marseli dhe Shkendije Mujaj lansuan tre vjet më parë këngën me titull “Show Biz”. Me gjithë tekstin e dobët dhe kualitetin e ulët të muzikës, ky projekt është shikuar hiç më pak se 78 milionë herë në youtube.
E ky numër kaq i madh i klikimeve dëshmon edhe një herë tjetër shijen e përgjithshme të publikut në muzikë. / KultPlus.com