19 Janar, 2023 - 7:15 pm
Ajo po vazhdon të krijojë marrëdhënie të afërta me familjen mbretërore britanike.
Kim Kardashian së fundmi bleu gjerdanin ikonik të kryqit me ametist dhe diamant të Princeshës Diana në një ankand të Sotheby’s për 180 mijë euro.
Sipas një njoftimi për media nga Sotheby’s, pati konkurrentë të shumtë për të blerë këtë perlë të së ndjerës, por në fund u përzgjodh një nga familja Kardashian.
“Ne jemi të kënaqur që kjo pjesë ka gjetur një jetë të re në duart e një emri tjetër të famshëm global”, ndau në një deklaratë Kristian Spofforth, kreu i bizhuterive në Sotheby’s në Londër.
I quajtur Kryqi i Attallah-ut, ishte vënë nga Princesha e ndjerë e Uellsit në një gala bamirësie të vitit 1987 në Londër.
Ajo e kishte kombinuar me një fustan kadifeje të zi të përzier me të vjollcë nga Catherine Walker.
“Kryqi ka një peshë totale diamanti prej afërsisht 5.25 karat dhe ka përmasa afërsisht 136 x 95 mm”.
“Kuptohet se kryqi është mbajtur vetëm nga princesha dhe pas vdekjes së saj, ai nuk është parë më kurrë në publik deri më tani”, thuhet më tej.
“Megjithëse ametisti përfaqëson tradicionalisht privilegjin e familjes mbretërore, zgjedhja e Dianas për të vënë varësen me një zinxhir jashtëzakonisht të gjatë përfshin aftësinë e saj për të ekspozuar koleksionin e bizhuterive mbretërore në një mënyrë unike, pa frikë të shkojë kundër traditës dhe të ndryshojë pjesët luksoze”. / KultPlus.com