24 Nëntor, 2020 - 10:26 am
Në mëngjesin e së martes, Dua Lipa i shfrytëzoi rrjetet sociale për ta bërë të ditur lajmin se këngëtarja e famshme australiane, Kylie Minogue, do t’i bashkohet asaj në koncertin virtual, “Studio 2054”.
Sipas të përditshmes “The Sun”, Minogue do të performojë në duet me Lipën gjatë shout, i cili transmetohet live nga një depo në Londër, transmeton Koha.
“Jam më se e lumtur ta zbuloj se këngëtarja legjendare, Kylie Minogue, do të performojë me mua. Ajo është një nga heroinat e mia të fëmijërisë dhe ndër artistet e preferuara, dhe ideja e bashkëpunimit me të është ëndërr e shndërruar në realitet. E kam adhuruar performancën e saj në festivalin ‘Glastonbury’ dhe mezi pres të na bashkohet në koncertin ‘Studio 2054’. Jam shumë e emocionuar”, ka shkruar Lipa në mesazhin e saj paralajmërues.
A post shared by DUA LIPA (@dualipa)
Lajmi për pjesëmarrjen e Kyliet në koncertin e Duas vjen një ditë pasi pop ikona australiane, e emëroi Lipën si një prej këngëtareve të reja me të cilën do të dëshironte të bashkëpunonte në të ardhmen.
Minogue u bashkohet yjeve të tjerë të paralajmëruar si mysafir special në koncertin “Studio 2054”, përfshirë këtu FKA Twigs, Angele, Bad Bunny dhe J Balvin.
Dua Lipa pritet t’i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku ajo interpreton do të ndryshojnë nga njëra-tjetra. Gjatë performancave ajo po ashtu do të shoqërohet nga disa muzikantë, valltarë, akrobat të ndryshëm dhe mysafirët special.
Sa i përket këngëve që do të interpretohen në koncert, besohet se Lipa do t’i kthehet edhe hiteve të saja të mëparshme dhe natyrisht, për herë të parë do t’i performojë live disa prej këngëve të albumeve, “Future Nostalgia” dhe “Club Future Nostalgia”.
Kjo ishte një javë e madhe për yllin e muzikës pop. Të dielën mbrëma ajo e dha një performancë mahnitëse të hitit “Levitating” në kuadër të ceremonisë “American Music Awards”, ku edhe u shpërblye me një çmim. Ndërkaq të premten e kaluar, Lipa e lansoi bashkëpunimin e shumëpritur me mikeshën e saj, Miley Cyrus, me titull “Prisoner”. Kënga është pritur jashtëzakonisht mirë nga adhuruesit e këngëtareve, të cilat kishin kohë të gjatë që po e prisnin momentin dhe këngën e duhur për të performuar së bashku. Ylli amerikan i muzikës, Miley Cyrus, duke se është shumë e afërt me këngëtaren britaniko-kosovare. Ajo madje pati pranuar të performoj në Prishtinë në vitin 2019, në skenën e festivalit të organizuar nga Dua Lipa, “Sunny Hill Festival”. / Kultplus.com