Lady Gaga për Ariana Grande: Aftësia e saj për të ecur përpara, është për t’u admiruar

25 Maj, 2020 - 10:45 am

Lady Gaga dhe Ariana Grande, janë bërë bashkë për lansimin e këngës së tyre të re dhe tejet ritmike, “Rain On Me”.

Ky bashkëpunim, që është i pari për dyshen e famshme të pop muzikës, vjen si rezultat i një shoqërie të re mes dy artisteve të cilat si duket kanë zhvilluar simpati të menjëhershme për njëra-tjetrën, transmeton Koha.

Duke folur me prezantuesin Zane Lowe në emisionin e tij “Apple Music”, Gaga emri i vërtetë i së cilës është Stefani Germanotta, zbuloi se si Grande e ka bërë atë ta kuptojë se për një kohë të gjatë ishte fshehur nga diçka.

“Padyshim, ajo femër ka kaluar nëpër disa situata vërtetë të vështira dhe testuese në jetë. Dhe aftësia e saj për të ecur përpara, është vërtetë për t’u admiruar. Kur ajo erdhi në studion incizuese, unë ende po qaja ndërsa ajo jo. Eventualisht, ajo më kritikoi, duke më thënë se po fshihesha nga diçka, dhe kjo është e vërtetë. Unë po fshihesha pa e kuptuar këtë gjë,” tha Gaga, duke folur për këngëtaren Grande e cila kishte përjetuar tmerr të vërtetë kur në viti 2017, një bombë shpërtheu në koncertin e saj në Manchester duke i vrarë disa adhurues të saj, si dhe në viti 2018 ajo e humbi ish të dashurin, Mac Miller, i cili u vetëvra.

Sa i përket këngës “Rain On Me”, fituesja e shumëfishtë e shpërblimit “Grammy”, Gaga, e përshkroi atë si proces shërues duke shtuar se teksti i këngës i referohet edhe problemit të saj me alkoolin, me ç’rast ajo kishte konsumuar në masë të madhe për t’i shuar ndjenjat dhe emocionet.

“Rain On Me” është kënga e dytë nga albumi i gjashtë i incizuar në studio i Lady Gagas, “Chromatica”, dhe vjen pas këngës “Stupid Love” e cila u lansuar në shkurt të këtij viti. Kënga e re e dyshes është pritur jashtëzakonisht mirë nga fansat anembanë botës, dhe duket se është në rrugë për të triumfuar në maje të toplistave muzikore.

Pas vetën dy ditëve të lansimit, “Rain On Me”, i numëron më shumë se 41 milionë klikime në YouTube.

Albumi i ri i Lady Gagas, “Chromatica”, do të lansohet më 29 maj të këtij viti, pasi është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ndërkaq, në muajin prill, ylli i hitit “Born This Way” kishte ndihmuar në organizimin e një koncerti bamirës i cili i përfshiu performancat e yjeve të ndryshëm të filmit, modës dhe muzikës, të tillë si: Paul McCartney, Celine Dion, Sir Elton John, Beyonce, Jennifer Hudson, John Legend, Billie Eilish, Matthew McConaughey, Sarah Jessica Parker, Rita Ora, Lizzo, Idris Elba, Jessie J dhe të tjerë.

Ngjarja e cila u transmetua live në televizione, “One World: Together At Home”, arriti t’i mbledhë 127.9 milionë dollarë për fondacionet të cilat i ndihmojnë të prekurit nga koronavirusi. / KultPlus.com

Të ngjajshme