17 Qershor, 2019 - 3:40 pm
Këngëtari Ledri Vula është një super yll në Kosovë dhe në fund të muajit qershor do të jetë në “Alba Festival” në Cyrih, e nis artikullin e saj gazeta zvicerane 20 minuten.
Në një intervistë për 20 minuten, ai ka folur për dashurinë e tij për Zvicrën, skandalin e Loredanës dhe festivalin në të cilin pritet të performojë.
Mbi 1.3 milion ndjekës në Instagram dhe mbi 100 milionë shikime në YouTube: Në Kosovë, Ledri Vula (32 vjeç) është një nga yjet e mëdhenj dhe hitet e tij janë të njohura edhe në Zvicër.
“Sot kam ardhur në Cyrih, unë vij shpesh këtu dhe në vendet e tjera përreth , më pëlqen qyteti më pëlqen ushqimi dhe vij sa herë që më vjen mundësia të vij. Unë jam i njohur në vendin tim, por kohëve të fundit muzika nuk njeh kufij dhe ka depërtuar edhe në Evropë, po më vjen mirë që edhe njerëzit e tjerë ma njohin muzikën”, ka thënë Vula.
“Ka shumë shqiptarë që kanë depërtuar në botë, lufta na ka bërë të ikim prej vendit, ka shumë shqiptarë në botë, shqiptarët janë njerëz të shoqërueshëm, kanë dëshirë ta tregojnë kulturën e vet. Ne jemi të uritur të na shohë bota që edhe ne jemi talentë, kemi nevojë të na shohë bota ashtu qysh e meritojmë”, vazhdon më tej reperi.
Ndërkaq, më 29 qershor, Vula do të performojë në “Alba Festival” në Cyrih. “Ndihem si në shtëpi në Zvicër, kur kemi qenë të vegjël nuk e kam menduar se do të vij ndonjëherë në Cyrih, kurse tani të vij dhe të këndoj në një festival kaq të madh është sikur realizimi i një ëndrre”, ka thënë Vula në intervistën e dhënë për 20 minuten. /Telegrafi/