Liam Payne: Një kujtesë se fama në adoleshencë mund të jetë fatale

23 Tetor, 2024 - 3:30 pm

Thjesht një djalosh. Tre fjalë elegjike të postuara në mënyrë prekëse nga nëna e Harry Styles, ish shok grupi i Liam Payne tek One Direction, në lajmin tronditës për vdekjen e tij, në moshën 31-vjeçare.

Një epitaf i zymtë, që përmbledh një jetë, një humbje, një udhëtim të vetmuar që filloi në një dhomë të mbushur, plot zhurmë audicionesh të X Factor në moshën 14-vjeçare dhe përfundoi shumë shpejt me vdekjen e tij të tmerrshme në oborrin e një hoteli luksoz në Buenos Aires.

Në vitin 2008, kur impresionoi për herë të parë Simon Cowellin duke kënduar këngën e Frank Sinatras, “Fly Me To The Moon”, nxënësit Payne iu tha se ishte shumë i vogël e dhe këshilluan të kthehej dy vjet më vonë.

Kur u kthye, e gjeti veten anëtar të një grupi të ri djemsh, One Direction. Ata nuk e fituan X-Factor, por shkuan në stratosferë pasi firmosën me kompaninë e Cowell, “Syco”.

Ishte ëndrra e çdo fëmije – dhe tani, në mos që atëherë, makthi i çdo prindi. Pakti Faustian me famën ka një anë të errët; vajzat që bërtasin, autobusët e errët tureve, ditët e kaluara nëpër hotele. Nuk mund të ketë kurrë një kthim në normalitet.

Do të ishte e vështirë të përballohej, edhe nga një i rritur. Për pesë djem të zakonshëm? Një gjë pothuajse e pamundur. Payne kishte folur në të kaluarën për problemet e tij të shëndetit mendor, gjatë kohës që ishte në grup.

Edhe pse ai dhe shokët e tij të grupit firmosnin autografe, pozonin për selfie, mbushnin stadiumet dhe shitën 70 milionë disqe, ai nuk largonte dot mendimet për vetëvrasje. Përpjekjet për t’u vetë-kuruar e çuan në varësi nga alkooli dhe droga.

A mori mbështetje profesionale nga një psikolog apo nga një psikiatër? Nuk kam dyshim se do të mësojmë më shumë në ditët në vijim, ndërsa bota gërrmon nëpër rrjetet e tij sociale.

Payne ishte vetëm 23 vjeç kur lindi një fëmijë, një djalë të quajtur Bear, me të dashurën e tij të atëhershme, ish këngëtaren e Girls Aloud, Cheryl Cole, një dekadë më e madhe se ai. Lidhja zgjati dy vjet. Në atë kohë grupi ishte shpërbërë dhe ai donte të niste një karrierë solo, që nuk arriti të shkëlqejë.

A e përgatitën për atë që do të vinte, mentorët e tij muzikorë? Atletëve të elitës – nga olimpistët tek futbollistët – u jepen rregullisht këshilla për daljen në pension dhe si të “ribëhen”, pas përfundimit të karrierës sportive.

Për yjet e rinj të popit, megjithatë, nuk duket se ekziston një kornizë e tillë – më alarmante, asnjë përkujdesje. Edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë mbështetje ka marrë Payne, në përgjithësi grupet dhe këngëtarët adoleshentë fillimisht përkëdhelen nga kompanitë diskografike, dërgohen në turne rraskapitës dhe më pas largohen papritur, pasi shifrat nuk dalin më.

Ish-konkurrentja e X Factor, Katie Waissel, një këngëtare-kantautore 38-vjeçare e cila mori pjesë në audicion së bashku me Payne tha në një deklaratë: “Vdekja e tij tragjike jo vetëm që lë një zbrazëti të pazëvendësueshme në zemrat e atyre që e donin, por gjithashtu shërben si një kujtesë e dhimbshme për neglizhencën sistematike që vazhdon në industri. Ka nga ata që kishin përgjegjësinë për të ofruar kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme për mirëqenien e artistëve të rinj, por shumë shpesh, fokusi mbetej te fitimet dhe jo te njerëzit.”

Payne kishte qenë në Argjentinë me të dashurën e tij, Kate Cassidy. Në fillim të këtij muaji postuan fotografi duke ndjekur një koncert të ish shokut të tij të grupit, Niall Horan.

Por pavarësisht fotove të kuruara me kujdes duke jetuar jetën, gjërat nuk shkonin mirë. Pasi kënga e tij dështoi, ai e pezulloi nxjerrjen e albumit të dytë.

Vetëm disa ditë para se të vdiste, ndërsa e dashura e tij u kthye në shtëpi në SHBA, ish e fejuara e tij Maya Henry thuhet se udhëzoi avokatët që t’i lëshonin Payne një letër ndalimi pasi e akuzonte se e kishte kontaktuar vazhdimisht.

Pas vdekjes së Payne, përfaqësuesit e Henry kanë thënë se ajo është “e shokuar”.

Payne qëndroi në hotelin ku acarua gjithnjë e më shumë. Stafi thirri policinë, duke kërkuar ndihmë me një klient që ishte nën efekte droge dhe sillej në mënyrë të çrregullt.

Në kohën kur mbërritën, ai tashmë ishte rrëzuar nga ballkoni i dhomës së tij në katin e tretë dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse. Vdiq nga përplasja

Një jetë e jetuar në qendër të vëmendjes, por e rrethuar nga demonë. Just a boy. / The Telegraph / KultPlus.com

Të ngjajshme