Mattarella, presidenti i parë italian që merr pjesë në Sanremo

9 Shkurt, 2023 - 9:45 pm

Ka nisur tashmë edicioni i 73-të i Festivalit të Sanremos, i drejtuar për herë të katërt nga Amadeus, dhe për herë të parë, i ftuari kryesor në Ariston, qe presidenti i republikës Sergio Mattarella, sipas të përditshmes italiane, “La Repubblica”.

Mattarella është presidenti i parë i Italisë që merr pjesë në Sanremo.

Në festival qe edhe fituesi i çmimit “Oscar” Roberto Benigni.

“Prania e presidentit të republikës, Sergio Mattarella është një mundësi për të festuar 75-vjetorin e Kushtetutës italiane dhe nuk kishte mënyrë më të mirë për ta bërë këtë sesa të ftonim edhe aktorin e madh Roberto Benigni”, tha Amadeus.

“Këtë vit është 75-vjetori i Kushtetutës italiane dhe presidenti tashmë ka filluar të marrë pjesë në nismat që kanë të bëjnë me këtë përvjetor”, tha Giovanni Grasso, këshilltari për shtypin dhe komunikimin e Quirinale, duke folur për praninë e Mattarella, i cili u shoqërua nga vajza e tij, Laura.

“Na u duk e drejtë, duke qenë se Kushtetuta flet për promovimin e kulturës, një nderim për kulturën, jo vetëm për kulturën e lartë, edhe pse nuk më pëlqejnë këto dallime, por edhe për kulturën popullore, dhe Sanremo është padyshim festivali i kulturës popullore”, shtoi ai./ KultPlus.com

Të ngjajshme