7 Dhjetor, 2018 - 10:00 pm
Platformat e mëdha të muzikës “Spotify” dhe “Apple Music”, kanë prezantuar së fundmi statistikat e tyre vjetore, për artistët më të dëgjuar brenda vitit.
Pas statistikave të Dua Lipës dhe Era Istrefit, vijnë edhe ato të Rita Orës, e cila gjithashtu ka thyer rekorde këtë vit.
Rita ndau me ndjekësit e saj në Instagram disa imazhe, ku pasqyroheshin të arriturat e saj përgjatë vitit, të kalkuluara nga platforma më e madhe e muzikës në botë, “Spotify”.
Ora këtë vit është dëgjuar mbi 766 milionë herë nga 66 milionë fansa prej 65 shteteve të ndryshme, të cilët gjithsej kanë shpenzuar mbi 42 milionë orë në këngët e saj.
Këto shifra e bënë këngëtaren shqiptare gjithashtu artisten me më së shumti këngë solo në top listën zyrtare britanike, për çka edhe hyri në histori.
Në total, ajo numëron mbi 1.7 miliardë dëgjime nëse statistikave të “Spotify” iu bashkohen edhe ato të “Apple Music”.
Mbi 250 milionë herë është dëgjuar vetëm kënga e saj hit “Let you love me”, të cilën këngëtarja e publikoi në shtator.
Këto statistika e kanë bërë atë artisten globale më të mirë në zhanrin POP, gjersa suksesi maksimal u arrit në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve “MTV Video Music Awards”, ku shqiptarja rrëmbeu çmimin “Kënga më e mirë ritmike”, për këngën “Lonely together”, në bashkëpunim me Aviciin.
Rita Ora, shqiptarja e parë që u shpërblye me një çmim në “MTV Video Music Awards”.
Për të gjitha këto suksese, këngëtarja shqiptare shprehet e falënderuar në një postim të gjatë të bërë në rrjetin social Instagram.
https://www.instagram.com/p/BrGHK_GHC_9/
“Jam kaq falënderuese dhe mirënjohëse sa shumë mbështetje kam marr prej të gjithë fansave dhe e gjithë industria muzikore që më suportoi mua. Unë solla albumin tim të parë para gjashtë vitesh dhe të kesh kaq shumë mbështetje është jashtëzakonisht bukur për mua, faleminderit djema”, kanë qenë fjalët e Ritës në Instagram.
Përndryshe, viti 2018 ishte një vit shumë i rëndësishëm në karrierën e këngëtares, kjo pasi këtë ajo solli albumin e saj të dytë me titull “Phoenix”, pas një pritje të gjatë gjashtë vjeçare, si pasojë e problemeve të shumta dhe proceseve gjyqësore kundrejt ish-studios së saj incizuese, “Roc Nation”, të menaxhuar nga reperi me famë botërore, Jay-Z. /KultPlus.com