29 Shtator, 2021 - 1:00 pm
Modelja shqiptare 22-vjeçare Sihana Shalaj, dje ka spikatur në sfilatën e markës prestigjoze Saint Laurent për një shfaqje të modës personale nën Kullën Eifel në Paris, përcjell KultPlus.
Shfaqja e drejtpërdrejtë e ‘Yves Saint Laurent’ kthehet në Javën e Modës në Paris në kuadër të ‘Women’s Summer 22’, e natyrisht se ishte shumë e veçantë, dhe pa dyshim që këtë veçanti e dha modelja kosovare, Sihana Shalaj, e cila falë pamjes së saj të pazakontë dhe stilit të veçantë androgjen, ajo bëri hyrjen në sfilatën e brendit francez duke i habitur të gjithë me pamjen dhe prezantimin e saj të veshjeve.
Si çdo herë, paraqitja e Sihanës ishte e mahnitshme. Ajo modeloi disa veshje, ndër to një fustan i bardh me të cilin hapi mbrëmjen madhështore dhe një i zi që kishte pjesën e gjoksit të mbuluar vetëm me një rrjetë të zbukuruar me gurë.
Veshjet u kompletuan me syze dielli të zeza e flokët e shkurtër që e karakterizojnë atë, ndërsa pjesëmarrja ishte një hap tjetër i rëndësishëm në karrierën e Sihanës.
Shalaj, e cila po i habit të gjithë për mënyrën e pamjes karizmatike të saj, më parë kishte sfiluar edhe për markën Prada. / KultPlus.com