MTV-ja largon emrin e Michael Jackson nga çmimi?

29 Korrik, 2019 - 4:00 pm

MTV-ja thuhet se ka vendosur ta riemërtojë çmimin “Michael Jackson” “Video Vanguard Award” pas një vargu të akuzave të bëra kundër yllit të ndjerë të popit në dokumentarin kontrovers “Leaving Neverland”.

Dokumentari i HBO-së përqendrohet në pretendimet shqetësuese të dy meshkujve për abuzim seksual – Wade Robson dhe James Safechuck – të cilët pretendonin se Jackson i kishte keqtrajtuar kur ishin fëmijë, shkruan KOHA Ditore.

Përfaqësuesit e trashëgimisë së mbretit të popit i mohuan akuzat dhe më pas e ngritën një padi prej 100 milionë dollarësh kundër rrjetit televiziv amerikan.

Sipas kolonës së thashethemeve në New York Post, Page Six, MTV po e shqyrton këputjen e lidhjeve me emrin e yllit të hitit Smooth Criminal për çmimet e veta vjetore Video Music Awards, të cilat do të mbahen në gusht.

Gazeta thotë se po zhvillohen “diskutime të nxehta” midis drejtuesve të rrjetit rreth asaj se si të dorëzohet çmimi Michael Jackson Video Vanguard Award, ndërkohë që ka shqetësime se kush do ta prezantojë atë dhe kush do ta pranonte atë me emrin e Jacksonit ende në çmim.

Ylli i ndjerë i popit e mori çmimin Vanguard Award në vitin 1988, ndërsa MTV e riemërtoi atë për nder të tij në vitin 1991.

Disa prej yjeve të muzikës që do të nderohen me gongun prestigjioz përfshijnë Rihannën, Beyonce, Kanye West, Britney Spears, U2 dhe Jennifer Lopez, që mori trofeun vitin e kaluar. / KultPlus.com

Të ngjajshme