8 Gusht, 2018 - 11:48 pm
Teksa vrasja e një gruaje 40-vjeçare dhe bijës së saj nga bashkëshorti në Gjakovë ka ngjallur reagime të mëdha në Kosovë në mbrojtje të të drejtave të grave, këngëtari i muzikës folk Sinan Vllasaliu dhe reperi Ghulo thërrasin për vrasjen e grave.
“Nys o nys, me të pa me tjetër unë të mbys”, thotë reperi nga Prishtina Ajet Bejiqi – i njohur me nofkën Ghulo, në këngën e publikuar sot që titullohet “Vet më the të dua”.
Projekti është ‘remake’ i këngës “Vet më the të dua” të cilën e kishte kënduar Sinan Vllasaliu disa vite më parë. Por për të sjell ‘remake’-n e këngës, Vllasaliu ka bashkëpunuar me reperin Ghulo, i cili stimulon vrasjet e grave.
Teksti i këngës është shkruar pikërisht nga Ghulo, ndërkaq muzikën dhe kompozimin e ka realizuar Nurteel.
Këto thirrje për vrasje të grave në projektin e publikuar sot nga Sinan Vllasaliu vijnë në momentin kur në Kosovë është ngjallur debat i madh lidhur me vrasjen e 40-vjeçares nga Tropoja, Valbonë Nrecaj, e cila ishte e martuar dhe jetonte prej disa vitesh në fshatin Brekoc të Gjakovës.
Nrecaj u vra të martën nga bashkëshorti i saj, i cili e vrau edhe vajzën e tij 9-vjeçare.
Për këtë ngjarje kanë reaguar sot organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, ministri i Drejtësisë, kryeministri e presidenti i vendit dhe shumë aktivistë për të drejtat e grave. Rasti në fjalë dëshmon për pozitën aspak të favorshme të gruas në shoqërinë kosovare. /KultPlus.com