2 Qershor, 2020 - 2:58 pm
Babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, Mitch, e ka bërë të ditur lajmin se një film për jetën e vajzës së tij mund të lansohet vitin e ardhshëm.
69-vjeçari, Mitch Winehouse, ka sugjeruar se projekti në fjalë do ta sjellë një portretizim më të sinqertë të këngëtares, e cila vdiq në vitin 2011, krahasuar me dokumentarin e Asif Kapadias të lansuar në vitin 2015, “Amy”, për të cilin thotë se e kishte portretizuar raportin e tij me të bijën, në mënyrë jo të saktë.
Duke folu për emisionin e Paul Dananit, “The Morning After”, Winehouse tha: “Jemi duke e përgatitur një film të këndshëm, po ashtu një mjuzikëll i Broadwayt do të vijë së shpejti, dhe kështu do të vëmë drejtësi duke e portretizuar bijën time Amy, ashtu siç ishte.”
Mitch po ashtu tregoi se skenari i filmit i cili do të jetë biografik, është në realizim e sipër, transmeton Koha.
Ai tha se do të jetë i përfshirë në çdo aspekt të realizimit të këtij projekti, përfshirë edhe përzgjedhjen e aktores e cila do ta portretizojë vajzën e tij të ndjerë.
“Përzgjedhja e aktorëve do të bëhet me ndihmën time dhe propozimet e producentëve të filmit. Ne do të fokusohemi te ndonjë aktore jo të famshme, teorikisht do të ishte mirë të jetë ndonjë grua çifute nga veriu ose jugu i Londrës, e cila duket dhe tingëllon sikur Amy,” ka shtuar tutje Winehouse.
Dokumentari i regjisorit Asif Kapadia, “Amy”, pas lansimit kishte arritur ta fitojë një shpërblim “Oscar” dhe dy nominime për çmim “BAFTA”, por Mitch Winehouse vazhdimisht e kishte quajtur këtë projekt një “turp”, pasi besonte se e portretizon atë si person lakmitarë. / KultPlus.com