22 Prill, 2019 - 10:58 pm
Shqiptarja Njomza, tekstshkruesja e këngëve të njohura “Thank U, Next” dhe “7 Rings” të cilat i këndon Ariana Grande, ka biseduar edhe për muzikën në trojet shqiptare.
Njomza e cila ka lindur në Gjermani dhe është rritur në Çikago, ka biseduar për Billboard edhe për muzikën shqiptare dhe për shqiptarët në përgjithësi. Njomza ka thënë se ajo që i veçon shqiptarët është dëshira për të krijuar një jetë me të mirë.
“Nëna ime gjithmonë më ka thënë se ne jemi kështu siç jemi, pasi që jemi shqiptarë. Ne jemi pak të çmendur dhe kurrë nuk heqim dorë. Është në gjakun tonë”, ka thënë Njomza.
E pyetur për muzikën shqiptare, Njomza ka thënë se në trojet shqiptare është një komunitet i madh i artistëve të cilët performojnë edhe nëpër Evropë.
“Artistët shqiptarë po arrijnë shumë dhe po njihen jashtë vendit, mirëpo gjithashtu është një komunitet i madh i artistëve edhe brenda vendit si Lyrical Son, Capital T dhe Dafina Zeqiri, të cilët performojnë edhe në Evropë. Është një vend i cili po përparon”, ka theksuar ajo.
Njomza ka biseduar për jetën e saj dhe faktin që është shqiptare edhe më herët për media të ndryshme./ KultPlus.com